Turizmi i çarterave, bie interesi i shqiptarëve për Antalian. Ikin polakët, vijnë izraelitët

Antalia ka qenë një destinacion mjaft i preferuar i shqiptarëve për të kaluar pushimet e verës. Sidomos në 2017-n, udhëtimet me çarter drejt Antalias u rritën me 53%, kurse numri i pasagjerëve që udhëtuan me çarter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 62.4 mijë persona. Por, në 2019-n, shqiptarët duket se u “velën” nga Turqia. Numri i pasagjerëve që udhëtuan drejt dhe nga Antalia ra për herë të parë me 2.1% gjatë pesë viteve të fundit, pasi në 2018-n ishte rritur me vetëm 1%.

Agjencitë turistike pohojnë se shtrenjtimi i paketave në Antalia ka stepur pushuesit, ndërsa një destinacion i preferuar u bë dhe Greqia. Turizmi i diellit po zëvendësohet edhe nga ai kulturor, ku shumë shqiptarë preferojnë që të mos “shullëhen” vetëm në diell, por të kalojnë pushimet, duke vizituar kryeqytetet e Europës, apo drejt destinacioneve ekzotike që po kthehen në preferencë vitet e fundit.

Egjipti ka qenë një tjetër destinacion që është rikthyer në modë, pas qetësimit të konflikteve që i larguan për një farë periudhe pushuesit nga e gjithë bota. Në 2019-n, ndonëse në nivele të ulëta rifilluan çarterat drejt Sharm El Sheikut dhe Hurgadas, me një total prej rreth 4 400 pasagjerësh.

BURIMI: TIA

Ulen polakët, rriten ndjeshëm izraelitët, zgjerohet gjeografia me ish-vendet sovjetike

Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT-it. Rreth 705 e hyrjeve ishin nga pesë shtete: Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Mali i Zi.

Por vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm dhe turizmi i organizuar përmes agjencive të mëdha turistike, të cilat sjellin turistë përmes linjave të dedikuara (çarter), kryesish gjatë perudhës maj-shtator. Në total, përmes çarterave fluturuan 324 mijë pasagjerë në 2019-n, me një rritje prej 10% me bazë vjetore.
Avionët direkt nga Polonia përbëjnë pjesën më madhe të trafikut të çarterave, teksa turistët polakë ishin të parët që “zbuluan” Shqipërinë rreth 4 vjet më parë. Në 2019-n, nga Polonia në Shqipëri erdhën çartera nga 5 qytete të Polonisë: Katovica, Varshava, Poznani, Wroclaw, Gdańsk. Gjithsej rreth 103 mijë pasagjerë fluturuan në Rinas nga këto destinacione, ku kryesimin e mban Katovica, e ndjekur nga Varshava.

2019-a shënoi një trend rënës për turistët polakë, pas rritjes së fortë të tyre gjatë tre viteve të mëparshme, me tkurrje rreth 11% të fluksit të pasagjerëve. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, arsyet janë tre.

Së pari ishte falimentimi i një kompanie ajrore polake, e cila siguronte çarterat për të sjellë turistët. Kontratat ishin të parashkruara, çka do të thotë që në sezon ishte e pamundur të bëhej zëvendësimi.

Së dyti, operatorët kanë nënvizuar se Durrësi, ku vendoset shumica, po shtrenjtohet dhe kjo ka bërë që të kërkohen opsione më të lira.

Së treti, dinamika e tregjeve të turizmit ka ndryshuar dhe përveç Turqisë dhe Greqisë që kanë qenë të preferuara dhe me çmime të lira, edhe rikthimi i Egjiptit në skenë ka dhënë efektin e vet. Rritjen më të lartë në turistët që vijnë në Shqipëri përmes çarterave e shënoi Izraeli, me 23 mijë pasagjerë, pothuajse dyfishim në raport me 2018-n.
Më pas renditen çekët (rritje 19%), dhe ukrainasit (+12%).

Nga shtetet nordike, ndonëse ka linja direkte në verë, fluksi mbetet i ulët, ku kryesojnë norvegjezët, që shënuan rriten më të fortë me 34% (15 mijë pasagjerë). Nga Suedia, numri i pasagjerëve ra me rreth 5%, (Në 10.5 mijë) ndërsa nga Finlanda rritja ishte rreth 15%, ndonëse duke u nisur nga një bazë e ulët (rreth 3,600).

Krahas ukrainasve, të cilët kanë disa vjet që kanë zbuluar Shqipërinë, -duke u renditur të katërtit pas çekëve, izraelitëve dhe polakëve me rreth 15 mijë pasagjerë, këtë vit gjeografia e ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik u zgjerua me Rusinë, Letoninë, Bjellorusinë, Lituaninë, që kishin çartera me rreth 4-8 mijë pasagjerë secili./Monitor/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *