Isa Mustafa kundër idesë që bizneset të mos punojnë të dielave

Kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka kundërshtuar iniciativën e disa komunave që të mos punohet ditëve të diela. Mustafa në një postim të tij të gjatë në facebook ka ngritur shumë pyetje të cilat sipas tij tregojnë që ky vendim duhet të shqyrtohet edhe një herë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas Mustafës askush nuk ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik.

“Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik”, ka shkruar Mustafa.

Sipas Mustafës nuk ka nevojë që qytetarët të dielave ti shpenzojnë paratë në vende të tjera dhe jo në Kosovë.

“Pse ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare. Pse të dielave paratë tona mund ti shpenzojmë në vendet tjera por jo në Kosovë dhe pse në këtë ditë turistët dhe vizitorët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë? Ku qëndron arsyeja që për një ditë në javë të ulet kërkesa agregate në treg te ne, me efekt negativ në brutoproduktin vendor dhe në punësim, dhe kjo kërkesë të zhvendoset jashtë Kosove?”, ka pyetur Mustafa.

Sipas kryetarit të LDK-së kjo iniciativë ‘është vështirë të argumentohet me mendje racionale por arsyetohet shumë lehtë me diletantizëm’

Sipas Mustafës Autoriteti i Konkurrencës duhet  të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.

“Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës. Tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë”, ka theksuar ai.

Ndonëse Mustafa nuk e ka parë të arsyeshme këtë iniciativë për të dielën pushim, ndër komunat e para që ka marrë këtë vendim është ajo e Vushtrrisë e cila udhëhiqet nga bashkpartiaku i Mustafës, Xhafer Tahirit, edhe Komuna e Junikut, si dhe Komuna e Mitrovicës iu kanë bashkuar kësaj iniciative, përderisa në Gjilan ka pasur një diskutim për këtë çështje, por nuk është marrë ndonjë vendim./Kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *