Shqipëria prodhon pasqyra financiare të dobëta, BB rekomandon përmirësim urgjent edhe për bankat

Zbatimi i standardeve të kontabilitetit dhe auditimit mbetet një sfidë për Shqipërinë, pasi cilësia e informacionit të paraqitur në pasqyrat financiare ka nevojë për shumë përmirësime, referoi Qendra për Raportimin e Reformave financiare në Bankën Botërore.

Pasi shqyrtoi disa mostra të pasqyrave financiare në vendin tonë, sektori i posaçëm i Bankës Botërore vërejti se shumica e tyre nuk përputhen me parimet e standardeve të raportimit financiar në disa fusha. Sfida mbetet e mprehte për raportimin financiar të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme, por gjithashtu rekomandohet që edhe bankat të bëjnë disa përmirësime në cilësinë e pasqyrave financiare.

Ekspertët e Bankës Botërore kanë këshilluar se nga bankat tregtare kërkohet që të përgatisin pasqyrat financiare bazuar në dy mënyra të ndryshme, njëra për pasqyrat vjetore të përgjithshme financiare siç kërkohet nga Ligji i ri i Kontabilitetit dhe për qëllime prudenciale siç kërkohet nga Ligji për Bankat.

Banka e Shqipërisë duhet të krijojë një kornizë për të rregulluar të dy kërkesat e raportimit.

Rekomandohet që kuadri ligjor për kërkesat e komitetit të auditimit duhet të harmonizohet më tej me BE. Ligji për Kompanitë dhe Ligji i Auditimit përputhen me Direktivën e Auditimit të BE-së që komiteti i auditimit do të jetë i pavarur nga entiteti i audituar.

Qeveria duhet të marrë në konsideratë plotësisht harmonizimin e përkufizimit të PIE me direktivat e BE-së, në të cilat PIE nënkupton kompani të listuara, banka, kompani sigurimesh dhe ente të tjera që kanë lidhje të rëndësishme publike për shkak të natyrës së biznesit të tyre, madhësisë së tyre ose numrit të punonjësve të tyre

Mungesa e standardeve në raportimin financiar në Shqipërinë vjen kryesisht për shkak se mungon një sistem monitorimi për përputhshmërisë dhe zbatimit të standardeve, vëren Banka Botërore.

Ligji i ri i Kontabilitetit e ka mandatuar një komitet të posaçëm që të bëjë një rishikim periodik nëse standardet janë duke u zbatuar.

Ky komitet duhet të bashkëpunojë ngushtë me autoritet rregullatorë në vend të tilla si banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, etj në mënyrë që edhe këto te kenë nën monitorim pjesën e raportimit të financiar në sektorët që mbulojnë.

Cilësia e raportimit financiar varet në një masë të madhe nga cilësia e kontabilitetit dhe standardeve të auditimit në të cilat bazohet raportimi. Banka vëren se vendet që kërkojnë të përmirësojnë mjedisin e tyre të biznesit, të përmirësojnë hyrjen e investimeve direkte kanë nevojë për standarde të kontabilitetit kombëtar që ofrojnë informacion financiar transparent dhe të saktë. Por Shqipëria me standardet aktuale nuk i plotëson këto kushte./Monitor/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *