Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Ai ka thënë se kjo do të hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se përkrah heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se përkrah heqjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë. Mirëpo ai ka thënë se Qeveria e cila është nën udhëheqjen e Albin Kurtit, duhet të zgjedh disa çështje të hapura me Serbinë.
“Kur është në pyetje interesi shtetëror ne mendojmë që duhet të përkrahim vendimet që janë për interesi shtetërore, sikur ka qenë vendosja e tarifës dhe tani do të përkthim çdo vendim që është në interes. Nëse Qeveria vendos ta heq tarifën e kam thënë qartë që duhet të ulemi bashkërisht dhe gjithë ato marrëveshje që janë proklamuar qoftë për hekurudha sepse ato janë pengesë e eksportit të Kosovës drejt Serbisë. E përkrahim heqjen e tarifës dhe nëse konsiderohet ajo interes të shoqërisë do ta përkrahim, por duke pas edhe në listë të gjerë”.
Ndër problemet kryesor sipas Rukiqi që ka Kosova me Serbin është pasi që Serbia nuk i njeh dokumentacionet e Kosovës.
“Serbia e njeh vetëm një dokument të Kosovës, certifikatë e EU1, që është certifikatë standarde e origjina që përdore nga të gjitha vende te BE-së, qofshin edhe ato që kanë marrëdhënie tregtari me Evropën. Është mos njohja dokumenteve të transportit e kështu më radhë”, ka thënë Rukiqi në një konferencë për media.
Sipas tij, Kosovës i duhet një qeverisje stabile që nuk i bllokohet mandati.
“Ulja e kofidencë të kësi lloj shkallës dhe në periudha të caktuar zakonisht është në periudha kur kemi krizë politike dhe prej periudhës së zgjedhjeve deri tash kemi një pamje për shkak se bizneset në këto periudha e kanë një rritje të pasigurisë”.
“Kosovës duhet me ju siguruar një qeverisje stabile dhe që nuk i bllokohet mandati. Vonesat në gjykata janë një problem që nuk garanton as të drejta pronësore dhe as trajtimin e kontratave dhe kjo ndikon në investimet e huaja”
Rukiqi tha se prioritet i Qeverisë duhet të jetë promovimi i eksportit përmes politikave nxitëse.
Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti.
“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se pret që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.
“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij në Kosovë pati theksuar se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ‘është e fokusuar në krijimin e vendeve të punës nga bizneset amerikane, duke cekur që komuniteti i biznesit është pjesa më e rëndësishme e zgjidhjes së problemit Serbi-Kosovë’.
“Është shumë e rëndësishme që nëse duam përparime në zhvillimin ekonomik, tarifa 100 për qind duhet të hiqet. Kjo është diçka që duhet të hiqet në të njëjtën kohë që Serbia duhet të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”,
Qeveria e kaluar e Kosovës në krye me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në nëntor të vitit 2018 pati vendosur taksë doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë ishte bërë pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./Monitor/