Shkruan: Bekim Kryeziu, profesor i ekonomisë
Kosova është njëra nga vendet më të varfëra dhe më të pazhvilluara në rajon dhe Evropë, me një papunēsi të madhe dhe zhvillim të ngadalshëm ekonomik.
Në këte situatë politikat ekonomike duhen orientuar në zhvillimin ekonomik, që arrihet përmes rritjes së BPV-së, përmes së cilës mundësohet punësimi më i lartë, zbutja e varfërisë dhe rritja e të ardhurave.
Duke pasur parasysh se Kosova ka një bazë të ulët të zhvillimit ekonomik, rritja ekonomike me normat 4 % është e ulët për të arritur një bazë më të lartë të zhvillimit ekonomik.
Kosova për vitin 2019 ka GDP-në (BPV-në) prej 7 miliardë e 123 milonë euro dhe një buxhet prej 2 miliardë e 378 milionë euro, është në disproporcion me raportet standarde të vendeve në zhvillim, madje edhe të vendeve të zhvilluara.
Pra, kemi një buxhet prej 33,38 % në raport me GDP-në, që është i lartë për një vend me papunësi të madhe dhe me një ekonomi jo të zhvilluar. Pra, përkthyer në shifra të thjeshta, nga 100 € të ardhura çdo qytetari apo biznesi i merren për buxhet 33,38 €.
Në ekonomitë më pak të zhvilluara, por edhe në ato të zhvilluara ky raport është dukshëm më i ulët. Edhe vendet e zhvilluara që janë sot, raportin buxhet-GDP e kanë nga 20-28 %, por në fazat e hershme të zhvillimit, këte raport e kanë pasur nga 15-20 %, që është shumë normale për ekonomitë në zhvillim.
Në një situatë të tillë Kosova do të duhej të kishte një buxhet prej 1 miliardë e 425 milionë euro, dtth sipas Bruto Produktit Vendor (GDP-së), 20 % e 7 miliardë e 123 milionë eurove prodhim.
Gjithashtu të kujtojmë se buxheti i Kosovës për vitin 2019 ishte 2 miliardë e 378 milionë, por të hyrat tatimore dhe jo tatimore ishin 1 miliardë e 949 milionë euro, pra qeveria merr borxhe plotë 429 milionë euro për plotësim të buxhetit, borxhe të brendshme dhe të jashtme.
Duket paradoksale që të hyhet në borxhe për plotësim dhe rritje të buxhetit, me raporte të tilla, pa rritur GDP-në. Madje më paradoksale është të financosh projekte që nuk janë me prioritet, vetëm për të shpenzuar buxhetin.
Të kujtojmë që rritja aktuale ekonomike prej 4 % për një vend si Kosova me këte bazë të zhvillimit është shumë e ulēt, sa që për të arritur GDP për kokë banori të secilit vend të BE-së, duhen 60 vite, pra qdth duhen norma më të larta në përshpejtimin e rritjes ekonomike. Rritja e buxhetit aktual real (pa financim me borxhe) që është 1 miliardë e 949 milionê euro, në 3 miliardë dhe me GDP 7 miliardë e 123 milionë euro, është një absurditet, një teori e pa llogaritur dhe një konfuzion i njerēzve me koncepte abstakte.
Disa ekonomistë e kanë arsyetuar se rritja e buxhetit në 3 miliardë euro, mund të arrihet duke luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal, gjë që tregon se nuk kanë njohuri bazë profesionale, sepse rritja e buxhetit kushtëzohet nga rritja e GDP-së.
Një buxhet prej 3 miliardë eurove siç pretendohet të rritet do të ishte 42 % e GDP-së, qê dtth në çdo 100 € të ardhura, të shkojnë në buxhet 42 €, që nuk e kanë pothuajse as vendet e zhvilluara ekonomikisht.
Nëse do duhej të bëhen ndryshime në buxhet, atëherë qeveria e tashme mund të ulë buxhetin, duke kursyer mjete që deri tani janë shpenzuar pa kritere, të reduktoj shpenzimet qeveritare dhe të eliminoj abuzimet në tenderet publike.
Qeveria kēto i ka proklamuar dhe në një situatë të tillë, mund të ulë buxhetin, duke shkurtuar disa projekte pa prioritet dhe duke përmbushur të gjitha obligimet buxhetore.
Në këte mënyrë do të ishte një masë më e madhe monetare te qytetarët dhe biznesi për zhvillim ekonomik dhe nuk do të thellohej borxhi publik e privat. /Ekonomi & Biznes/