Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar nga puna dy punëtorët që u arrestuan për marrje ryshfeti.
Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli, janë dy inspektorët tatimorë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) që u arrestuan të enjten në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se u kapën me 50 euro ryshfet.
“Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se bazuar në informatat e pranuara nga organet kompetente dhe duke u mbështetur në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, ka marrë vendim mbi pezullimin parandalues nga marrëdhënia e punës në ATK për dy inspektor G.J dhe A.J të cilët janë arrestuar nën dyshimet se kanë keqpërdor pozitën dhe autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatë.
Tutje, menaxhmenti i ATK-së siguron opinionin se çdo informatë e dëshmuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe rasteve korruptive do të dërgohet në organet kompetente për trajtim, dhe ndaj të gjithëve që shpallen fajtorë për vepra penale, do të ndërmerren masat e largimit nga marrëdhënia e punës në institucionin tonë.
ATK falënderon qytetarët, mediat, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen në luftimin e dukurive negative. Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të raportojnë përmes linjës pa-pagës 0800 80 800 (burimi i informatave çdoherë do të jetë konfidencial)./Insajderi.com