Rashit Gashi të mërkurën mori rrugën si çdo ditë tjetër për të shkuar në punë, në KEDS, aty ku punon tash e 13 vjet.
Por në hyrje të kësaj kompanie ai u pengua nga sigurimi, që i tha se nuk mund të hyjë brenda objektit pasi atij i është shkëputur kontrata e punës, raporton KTV.
Ai thotë se me këtë vendim KEDS-i nuk e ka respektuar institucionin e Sindikatës, duke shkelur Ligjin mbi organizim sindikal për imunitetin që kanë anëtarët e saj.
Neni 24 i këtij ligji parasheh që sindikalistëve nuk mund t’iu ndërpritet kontrata, t’iu caktohet vend tjetër i punës, t’i ulet pozita ose të fillohen masa disiplinore.
Ish-sindikalisti thotë se betejën e tij me KEDS-in do ta vazhdojë përmes gjykatës, edhe pse, sipas tij, menaxhmenti i kompanisë e ka paralajmëruar atë se është i gatshëm të paguajë çfarëdo çmimi vetëm që ky të mos jetë pjesë e kompanisë.
Për këtë rast Kohavisioni e ka pyetur KEDS -in, por Zyra për Media nuk ka kthyer përgjigje.