Kompanitë e risigurimit kanë ndryshuar qasjen që kanë ndaj Shqipërisë sa i takon riskut pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Kjo është reflektuar me rritje të primeve të risigurimit për kontratat që nënshkruhen lidhur me portofolin e sigurimit të pronës. Burime nga kompanitë e sigurimeve në vend bëjnë me dije se sot kujdesi i siguruesve ndërkombëtarë ndaj riskut në përgjithësi dhe klasifikimi të rreziqeve në përgjithësi po ndryshon pas situatës së fundit të krijuar në Shqipëri. Goditja nga dy tërmete të fuqishme njëri pas tjetrit në 21 shtator dhe më pas në 26 nëntor të vitit të shkuar bënë që kompanitë e risigurimit të kthenin vëmendjen mbi Shqipërinë dhe risku evident që paraqet të qenurit një vend me sizmicitet të lartë por që prej kohësh nuk kishte pësuar të tilla goditje.
Risigurimi është një produkt që kompanitë e sigurimit e blejnë nga kompani më të mëdha duke transferuar kështu një pjesë të riskut të portofolit të tyre tek pala tjetër. Zakonisht risigurimet parashikojnë kompensime në vlera të larta që kompanitë e sigurimeve nuk kanë kapacitete t’i përballojnë.
Kompanitë e risigurimit janë detyruar që të paguajnë për llogari të kompanive shqiptare miliona euro si dëmshpërblim për pasuri të paluajtshme që ishin në portofolin e kompanive shqiptare pas pasojave të tërmeteve të vitit të shkuar.
Të njëjtat burime të tregut bëjnë me dije se rritja e primit për risigurimin ende nuk është e qartë nëse do të transferohet tek primi fillestar i sigurimit të pronës që aplikohet nga kompanitë e sigurimit. Një pjesë e tyre po operojnë me primet e vjetra për shkak të rezervave që kanë pasur nga vitet e mëparshme ndërsa pjesa tjetër janë në pritje.
Aktualisht në vend ka edhe një nismë për sigurimin e pronës ndaj tërmetit dhe një draft i qeverisë është duke qarkulluar por që ende nuk ka marrë miratimin e hallkave të nevojshme për t’u bërë i zbatueshëm. Drafti parashikonte krijimin e një agjencie shtetërore që do të menaxhonte skemën.
Paralelisht me këtë tashmë në zbatim është një tjetër nismë që detyron ndërtuesit që të sigurojnë pallatet e reja për një periudhë 10 vjeçare./Monitor/