Bota është më e përgatitur se kurrë më parë për të ndaluar koronavirusin e Wuhan-it. Por rreziqet e tij të vërteta nuk do të merren vesh edhe për pak kohë
Se si dhe se kur u infektua qenia e parë njerëzore, e cila mendohet të jetë transmetuar nga një kafshë, nuk dihet ende. Por një gjë është e sigurt në lidhje me koronavirusin e ri, i cili u zbulua në dhjetor në Kinë dhe që tani po shkakton një frikë globale: është “një e panjohur e njohur”, shkruan The Economist. Dhe kjo, së bashku me përgjigjen e deritanishme dhënë nga autoritetet shëndetësore, është kryesisht një lajm i mirë.
Frika e njerëzve është e kuptueshme. Ky virus është një lloj i ngjashëm me virusin SARS (sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes), i cili u shfaq në Kinë në 2002 dhe terrorizoi botën për më shumë se gjysmë viti, deri në momentin që u izolua. Virusi SARS preku më shumë se 8 000 njerëz dhe vrau rreth 800, duke shkaktuar gjithashtu një humbje prej 30-100 miliardë dollarësh nga dëmi që iu shkaktua tregtisë dhe anulimit të fluturimeve dhe udhëtimeve. Ky numër do të kishte qenë padyshim më i ulët, nëse autoritetet kineze nuk do ta kishin mbajtur të fshehtë atë për muaj me radhë.
Por situata është shumë më ndryshe këtë herë. Kinezët kanë qenë të gatshëm për të vepruar në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Mjekët në Wuhan, epiqendrën ku shpërtheu ky virus, po marrin kritika të shumta, por e vërteta është se ata kanë shpallur alarmin që në momentin kur evidentuan disa raste të pazakonta të pneumonisë, duke ndjekur kështu një protokoll standard për zbulimin e viruseve të reja.
Shkencëtarët kinezë izoluan shpejt mikrobin patogjen dhe ndanë me mbarë botën formulën e tij gjenomike. Në ditët e virusit SARS, një gjë e tillë zgjati për javë të tëra. Të dhënat gjenomike mund të ndihmojnë shkencëtarët të zbulojnë rastet e infektuara brenda një kohe më të shpejtë si në Kinë, ashtu edhe jashtë saj.
Qeveria ndaloi udhëtimet brenda dhe jashtë Wuhan-it dhe në dy qytete të tjera aty pranë, duke mbajtur kështu nën vëzhgim rreth 20 milionë njerëz. Edhe pse kjo është një masë tejet ekstreme, ajo do të ndikojë në ngadalësimin e përhapjes së virusit në Kinë dhe jashtë saj. Pavarësisht kësaj, një pjesë e konsiderueshme e kësaj situate alarmante varet kryesisht nga “e panjohura e njohur”. Dy pyetjet e bëra më shpesh janë: Sa shpejt mund të kalohet virusi direkt nga personi në person dhe sa i rrezikshëm është ai? Të dhënat nga monitorimi i personave që kanë pasur kontakte me ata që janë konfirmuar si të infektuar, do të ndihmojë për t’u dhënë një përgjigje sa më të shpejtë pyetjeve të mësipërme.
Ndërsa dhënia e përgjigjes për pyetjen e dytë është shumë më e vështirë. Shkalla e vdekshmërisë prej 3% midis rasteve të konfirmuara deri më tani është alarmante. Kjo e bën atë të ngjashme me pandeminë shkatërruese që shpërtheu në Spanjë në vitet 1918, e cila vrau 2-10% të të infektuarve. Por në kaq shumë njerëz, virusi i ri shkakton vetëm simptoma të lehta, kështu që shumë raste që mund të jenë të infektuara mund të mos jenë evidentuar akoma si të tilla dhe prandaj të dhënat nuk kanë shënuar rritje në total.
Megjithatë, shifra të tilla mund të shënojnë rritje, sepse virusi te personat që janë infektuar do një kohë deri në 14 ditë që të shfaqet plotësisht, duke e çuar kështu atë në një shifër prej 15-20 për qind. Masat e shëndetit publik do të përshtaten në përputhje me rrethanat, duke vënë në përdorim edhe eksperiencën e mëparshme me viruset e tilla si SARS dhe MERS (ky i fundit ishte një virus vdekjeprurës, i cili u zbulua në vitin 2012 në Arabinë Saudite dhe që transmetohej vetëm nëpërmjet kontaktit të ngushtë).
OBSH-ja ka kohë që është e shqetësuar në lidhje me shfaqjen e mundshme të një “sëmundjeje X”, që mund të shndërrohet në një pandemi serioze ndërkombëtare dhe për të cilën nuk janë gjetur ende masat për ta luftuar. Disa ekspertë thonë se virusi i gjetur në Kinë mund të jetë një kërcënim i këtij lloji. Dhe madje, do të ketë edhe shumë të tjerë. Edhe viruset e tjerë do të ndjekin pothuajse të njëjtën rrugë transmetimi, nga kafshët te njerëzit. Rritja e vigjilencës në vendet ku njerëzit dhe kafshët kanë kontakte më të shpeshta me njëri-tjetrin, si për shembull në tregjet në të gjithë Azinë, do të ndihmonte në parandalimin e përhapjes së këtyre viruseve.
Një detyrë pak më e vështirë për t’u realizuar është bindja e popullatës që të mos konsumojnë më kafshë të egra dhe që të trajtojnë me shumë kujdes bagëtitë, për shembull duke përdorur maska dhe doreza dhe duke i bërë aty kontrolle të shpeshta veterinare. Nëse do të ishin marrë, masa të tilla mund t’ia kishin dalë që të parandalonin përhapjen e koronavirusit dhe pushtimin e disa prej gazetave më të rëndësishme në mbarë botën, me tituj rreth tij./Monitor/