Prej kohësh vendet e Bashkimit Europian janë bërë shumë kritike kur vjen puna tek zgjerimi. Franca dhe Holanda janë ndër dy më krysoret që skepticizmin e kanë shprehur edhe më herët. Në tetor ku dy vendet refuzuan hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përveç tematikave specifike për secilin nga dy vendet, presidenti francez Emmanuel Macron u shprej se para zgjerimit Bashkimi Europian ka nevojë të reformohet dhe të funksionojë më mirë për vete, pasi nëse kjo nuk ndodh do të jetë e vështirë për BE-në të mirëpresë në bllok anëtarë të rinj.
Edhe pas tetorit, Macron vazhdoi të përsëriste të njëjtën retorikë, kur theksonte se Bashkimi Europian duhet të bënte progres lidhur me mënyrën e reformimit që para ose gjatë Samitit të Zagrebit, që mbahet në maj, kohën kur Kroacia merr presidencën e BE-së. Me sa duket tashmë ndryshimet janë rrugës.
Ditën e djeshme është prezantuar nga Komisioneri i Zgjerimit pranë Komisionit Europian, Oliver Varhelyi metodologjia e re e zgjerimit. Ajo synon ta bëjë procesin më të besueshëm dhe dinamik, sipas disa rregullave të reja të ndryshuara, megjithatë fillimisht duhet të marrë votën e vendeve anëtare të unionit para samitit të Zagrebit. Për komisionerin Varhelyi, pavarësisht ndryshimeve në metodologji dhe mënyrën se si do të funksionojë në vazhdim procesi i zgjerimit, metodologjia mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe cilitdo vendi tjetër që plotëson kushtet, ama rregullat theksojnë qartë se, në rast se nuk shënohet progres, bisedimet kthehen ose pezullohen.
Muajin e kaluar, komisioneri Varhelyi vizitoi madje dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe takoi drejtuesit më të lartë politikë në vend. Ai shprehu mbështetjen për hapjen e negociatave dhe vizitoi gjithashtu edhe Durrësin për të takuar nga afër personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, në ndihmë të të cilëve organizohet në 17 shkurt nga Bashkimi Europian Konferenca e Donatorëve./Atlas/