Brexit tashmë u përmbush dhe askush nuk do të donte që ditët e para pas tij të dukeshin kështu si tani, me gjithë rënien në tregjet kineze, si një ogur i keq për ekonominë në tërësi. Aktualisht, kur situata në Kinë nuk ka ende ndonjë ndryshim përcaktues, është e vështirë të vlerësohet se si do të ndikohet tregtia globale, por diçka është e sigurt, me gjithë faktorët që kërcënojnë ekonominë, Boris Johnson, ashtu edhe të Trump duan vetëm një gjë, marrëveshjen tregtare ndërmjet dy vendeve.
Johnson ka nevojë për një rezolutë në lidhje me marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian, ndaj të paktën një përparim në lidhje me marrëveshjen e re të tregtisë së lirë me SHBA, do të shërbente si sinjal pozitiv. Tashmë tronditja ekonomike lidhur me virusin në rritjen në Kinë dhe ndikimi që ka tek tregtia globale pezullimi i aktivitetit ekonomik, po i bën planet më të ndërlikuara.
Nga ana tjetër qëndron Trump, i përfshirë në garën për një mandat të dytë presidencial. Ai ka arritur që nga luftërat tregtare të kërkojë marrëveshje, deri diku të arritura dhe deri më tani, ekonomia e fortë amerikane, e mbështetur nga disa politika fiskale të modës së vjetër dhe një bankë qendrore e etur për të kompensuar gabimet e politikës presidenciale, kanë ndihmuar në maskimin e kostove të tarifave dhe luftërave tregtare të Trump. Por ndikimi i një ngadalësimi të konsiderueshëm në Kinë do të jetë i vështirë për t’u fshehur.
Megjithatë, ngadalësimi i Kinës ka të ngjarë të krijojë më shumë pasiguri. Nëse zinxhirët e furnizimit global vazhdojnë të ngrirë si tani, apo edhe thjesht ngadalësuar, çështja ekonomike e Trump do të marrë një goditje të dukshme. Coronavirusi që tani po përhapet me shpejtësi, natyrisht kërcënon edhe kredencialet e paqes tregtare të Trump me Kinën. Së pari, kjo bën që 200 miliardë dollarët që kinezët premtuan të blejnë nga Amerika, kur nënshkruan fazën e parë të marrëveshjes, me shumë gjasë po shpenzohen tjetërkund, në një luftë me virusin vdekjeprurës.
Nga ana tjetër, nga fjalimi post Brezit, Johnson parashtroi planet e tij tregtare si një rast optimizmi ekonomik britanik. Ai pret vërtet që një marrëveshje me SHBA-të të largojnë disi zymtësinë e ekonomisë globale. Megjithatë mbetet vetëm të pritet, pasi nga Kina ende asgjë nuk është e sigurt. Bloomberg ka përpiluar një grafik me ndikimin e dobësimit Kinez tek vendet e tjera të globit dhe siç duket edhe prej tij, SHBA-të kanë padyshim ndikimin më të thellë./Atlas/