Ballkani Perëndimor/BEI do të sigurojë një financim prej 700 milionë eurosh

Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të sigurojë një financim prej 700 milionë eurosh (766 milionë dollarësh) për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur ato në kufizimin e ndikimit të krizës së koronavirusit, tha kreu i BEI-së për rajonin, Dubravka Negre.

Financimi është pjesë e paketës financiare prej 5.2 miliardë eurosh që BEI-ja planifikon të sigurojë për vendet jashtë Bashkimit Europian (BE), për t’i ndihmuar ato në përballimin e krizës së koronavirusit, tha Negre në një video të postuar në faqen e internetit të agjencisë së lajmeve Tanjug.

“Aktualisht po diskutojmë me partnerët tanë publikë dhe privatë, se ku nevojiten investimet më të rëndësishme dhe urgjente. Shpresojmë që shumë shpejt do të përcaktojmë planet dhe përparësitë për secilin vend”, tha Negre.

Banka do të përqendrojë mbështetjen e saj në sektorin e kujdesit shëndetësor, por gjithashtu synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe forcimin e bankave tregtare, duke siguruar shërbime këshilluese në realizimin e investimeve.

BEI-ja tha të enjten se do të sigurojë në muajt e ardhshëm një paketë financiare deri në 5.2 miliardë eurosh për vendet jashtë Bashkimit Europian (BE), përfshirë Ballkanin Perëndimor, për të kufizuar ndikimin e krizës së koronavirusit.

Javën e kaluar, Negre tha se huadhënësi dëshiron të mobilizojë 400 milionë euro në financime për të mbështetur përpjekjet e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Serbi, për të kaluar krizën e koronavirusit./Monitor/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *