Bien ndjeshëm eksportet në mars – INSTAT: Goditja më e rëndë te fasoni

Eksportet në muajin mars kanë reflektuar situatën e vështirë të krijuar nga Covid-19, duke shënuar rënien më të thellë historike. 

Sipas INSTAT, në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020. Të tre grumallrat kryesore, “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji“, “Materiale ndërtimi dhe metale”, kanë shënuar rënie të ndjeshme. Ndërsa dy grupe të tjera që kanë pasur ecuri pozitive vitet e fundit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Ushqime, pije e duhan” kanë arritur të frenojnë rënien. Më e fortë ka qenë goditja për industrinë e tekstileve e këpucëve, e cila ka shënuar dhe tkurrjen më të madhe në vlerë absolute me -5 miliardë lekë, ose 47% më pak se marsi 2019.

Burime nga Shoqata ProEksport thanë se përgjysmimi vjen nga mungesa e punëtorëve dhe e shitjeve. Ndonëse kompanitë kanë vazhduar prodhimin, shitjet në Itali kanë ngecur për shkak të situatës, duke bërë që të mos tërhiqen produktet. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë për eksportet e tekstileve e këpucëve me mbi 70% të totalit. Saimir Bidaj, anëtar themelues i Pro Eksport Albania thotë se praktikisht ka ndërmarrjë që nuk po funksionojnë ose po funksionojnë pjesërisht. Më problematike janë kompanitë që punojnë me veshje dhe këpucë për modën.

Pak më e mirë ka qenë situata për ato sipërmarrje që prodhojnë veshje pune. E njëjta tendencë ose me rënie të mëtejshme pritet në muajt prill e maj. “E ardhmja është në pikëpyetje, ashtu si për të gjithë”, thotë ai, duke shtuar se rreth 70% e sektorit të tekstile e këpucëve, që punon me modën ka probleme serioze dhe 30%, që janë kryesisht me produkte pune dhe ushtrie po ecin më mirë. Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 41% në mars. Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i këtij grupi me naftë të papërpunuar thanë se kanë ndikuar dy faktorë, së pari rënia e çmimeve në bursa dhe së dyti, rënia e kërkesës nga Spanja, e cila është dhe destinacioni kryesor ku Bankers çon produktet e veta.

E njëjtat tendensë tkurrëse ishte dhe për “Materiale ndërtimi dhe metale”, që u tkurrën me 50%. Arif Shkallla, drejtor finance i Kurum, kompanisë më të madhe eksportuese në vend tha se fabrika ka punuar deri në datën 20 mars, pasi kishte blerë energjinë dhe më pas do të jetë pushim deri në datën 6 prill. Edhe në kohën e prodhimit, shitjet ishin pothuajse zero, ndërsa ka vështirësi në transport, në lëvizjen e personelit, në sigurimin e masave e dorezave për stafin. Në datën 19 mars janë shitur vetëm 10 kamionë për në Kosovë e Maqedoni, kur në periudha normale, në këto kohë, tregtoheshin 56-60 kamionë në ditë.

Pra nga 1500-1700 tonë në ditë, volumi i shitjeve ra në 50-60 tonë. Kërkesa nga ndërtuesit vendas ka qenë zero në këto kohë. Ndërprerja po ndodh në një kohë që sapo hapej sezoni i shitjeve të pranverës. Ecurinë më të mirë e kishte “Ushqime, pije, duhan”, që ra me vetëm 7% në mars, duke u renditur për herë të parë në grupin e dytë më të madh eksportues në vend, pas tekstileve e këpucëve. Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi një ecuri të qëndrueshme, me rënie minimale 0.7%.

Por edhe ky grup, që po shënonte ecurinë më të mirë vitet e fundit për shkak të zgjerimit të fabrikave që montojnë pjesë elekttike për prodhuesit e makinave, pritet të reduktojë aktivitetin. Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, tha se prodhimi është reduktuar në 90% dhe punonjësve u është dhënë leje vjetore për të qëndruar në shtëpi dhe njëkohësisht për të përfituar edhe pagën e plotë për prillin. Në Shqipëri, për industrinë automotive, puna nuk varet nga vullneti i kompanisë, por nga situata e kompanive në Europë që kanë mbyllur fabrikat./ Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *