Paketë financiare edhe për punëtorët e futbollit, si futbollistët, trajnerët e arbitrat

Përhapja e koronavirusit nuk ka lënë pa prekur edhe sportin në vend. Tashmë edhe punëtorët e futbollit, siç janë futbollistët, trajnerët, arbitrat dhe gjithkush që është i punësuar në futboll, do të mbështeten financiarisht. Një paketë financiare është prezantuar sot nga Federata e Futbollit Shqiptar.

“Armiku” ka lëvizur shpejt dhe ka dëmtuar jetët tona, ka dëmtuar edhe komunitetin tonë sportiv, deklaroi presidenti i FSHF Armand Duka.

“Një pjesë e komunitetit tonë të futbollit, futbollin nuk e ka një pasion, por e ka profesion, me të cilin jeton dhe mban familjen. Por virusi e ka detyruar të mbyllet dhe të mos e ushtrojë. Kështu që Federata është munduar të bëjë ndërmjetësin mes punëtorit sportiv dhe qeverisë shqiptare për të arritur të kompensojë në këto ditë të vështira punonjësit sportivë, futbollistë, zyrtarë etj. Kemi qenë të pasuksesshëm për të bindur qeverinë deri më sot. Në këto kushte, Komiteti Ekzekutiv i Federatës ka vendosur të miratojë një paketë financiare, në ndihmë të futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe gjithkujt që është i punësuar në futboll.

Kjo paketë financiare parashikon, dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare siç mund të quhet, për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të reja; nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish.

Detajet dhe e gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trajnerët e futbollit që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion, dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror. Federata do t’i shpërndajë direkt pagesat tek individët, në numrat e llogarive bankare, besoj se në mënyrë të shpejtë administrata (e Federatës) duke filluar nga nesër do ta realizojë shpërndarjen e tyre.

Burimi financiar i kësaj pakete, është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjithë, pagat e larta në federatë, kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse siç dihet kjo është diçka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm” shtoi Presidenti Duka.

Presidenti Duka i ka bërë thirrje të gjithë komunitetit të futbollit në Shqipëri për respektim rigoroz të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore dhe ka shprehur besimin se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë “lojë” kundër këtij kundërshtari të rrezikshëm.

Federata është solidarizuar me mjekët në Ditën Botërore të Mjekësisë duke u dhuruar mjekëve një bluzë të kombëtares; të gjithë stafeve mjekësore që shërbejnë në vijën e parë që nuk takojnë dot as fëmijët, dhe fëmijëve të tyre nga një top në mënyrë simbolike” the Presidenti Duka./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *