Bill Gates do të investojë miliarda dollarë me anë të fondacionit të tij “Bill and Melinda Gates” për të ndërtuar fabrika në funksion të prodhimit të vaksinave për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit. Fondacioni tashmë ka angazhuar qindra miliona dollarë për kërkim- zhvillim rreth Covid-19, si dhe ka financuar një program për prodhimin e tamponëve në Washington, një nga zonat e para të prekura nga pandemia Coronavirus në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë themelues i Microsoft gjatë “The Daily Show”. Atje ai deklaroi se është në kontakt me shtatë grupe të ndryshme që punojnë për këtë çështje dhe sipas tij plani është që të financohet ndërtimi i fabrikave për të shtatë vaksinat, edhe pse kjo mund të rezultojë në humbje të mëdha. Gjithashtu koha në dispozicion duket se do të zgjasë pak sepse vaksinat duhet të testohen më herët.
“Fondet tona mund t’i shpejtojnë gjërat. Edhe pse në fund do të zgjedhim vetëm dy nga shtatë vaksinat, duam t’i financojmë fabrikat për t’i prodhuar të shtata, në mënyrë që të mos humbim kohë. Së pari, do të kontrollojmë se cila vaksinë funksionon dhe më pas do të ndërtojmë impiantet për ta prodhuar atë.” theksoi Gates në deklaratë./Atlas/.