Bashkimi Europian është duke përgatitur një paketë të re për të mbështetur punonjësit që të mos pushohen nga puna brenda bllokut. Komisioni Evropian ka propozuar dje një iniciativë të re lehtësuese prej 100 miliardë eurosh (109 miliardë dollarë) që do të sigurojë kredi për vendet anëtare që kanë nevojë për fonde për të mbështetur vendet e punës. Komisioni planifikon të përdorë vlerësimin e fortë të kredisë së Bashkimit Evropian për të hyrë në tregjet financiare dhe më pas për t’i dhënë hua fonde vendeve anëtare.
Programi ka për qëllim të inkurajojë kompanitë të zvogëlojnë orët e punonjësve, në vend që t’i pushojnë ata plotësisht, një model i përdorur në Gjermani, kështu punëtorët do të mund të paguheshin edhe për orët që nuk punonin.
“Në këtë krizë koronavirusi, vetëm përgjigjet më të forta do të bëjnë që ta kalojmë ta gjithën.” tha Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në një deklaratë. “Ne jemi në dispozicion me gjithë buxhetin e BE-së, për të adresuar problemin.” Sipas Komisionit, huatë do të garantoheshin nga vendet anëtare dhe do të drejtohen atje ku ato janë më të nevojshme, por masa ende kërkon miratim nga 27 anëtarët e bllokut.
Vendet e BE-së kanë adresuar shuma të mëdha parash kohët e fundit për të mbështetur biznesin dhe punëtorët, në një kohë kur recesioni i thellë po shpaloset gjithnjë e më qartë. Kufijtë e BE për deficitet buxhetore gjithashtu janë lehtësuar për t’i lejuar ata të huazojnë më shumë. Banka Qendrore Europiane po ashtu ka premtuar të pompojë qindra miliarda euro në tregje këtë vit për të parandaluar tronditjen që po shkakton kriza re financiare.
Por blloku është thellësisht i ndarë nëse do të lëshojë borxhe, të quajtura bonot Corona, për të mbledhur financim afatgjatë për të gjitha vendet anëtare dhe për të ndihmuar në përballimin e masave për të përballuar pandeminë dhe për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike pasi e gjitha të ketë kaluar. Kancelarja gjermane Angela Merkel, e mbështetur nga drejtuesit e Austrisë dhe Holandës, ka kundërshtuar ta bëjë këtë.
Ekzistojnë nga ana tjetër, shqetësime të veçanta për Italinë, e cila është goditur më shumë nga pandemia dhe tashmë ka një borxh të konsiderueshëm. Për të Bashkimi Europian mund të detyrohet të ndërmarrë veprime shtesë së shpejti. Ministrat e Financave të bllokut janë planifikuar të bisedojnë përmes video konferencës të martën. Udhëheqësit e BE mund të mblidheshin përsëri më vonë gjatë kësaj jave.
Ekonomia më e madhe e Europës, Gjermania, ka të ngjarë të tkurret më shumë këtë vit, sesa gjatë krizës globale financiare, siç deklaroi dje të Ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier./Atlas/.