Në një kohë kur qeveritë e thuajse të gjitha shteteve po dalin me paketa financiare n mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve, pas goditjes nga kriza Coronavirus, edhe qeveria e Serbisë ka prezantuar një paketë të tillë financiare. Sipas të dhënave dhe deklaratës përkatëse nga Ministri vendas i Financave, Sinisa Mali, paketa ka një vlerë prej 5.1 miliardë eurosh në mbështetje të ekonomisë, si dhe për çdo qytetar mbi 18 vjeç do të jepet një pagesë e menjëherëshme 100 euro. Shuma e paketës përllogaritet aktualisht sa 50% e buxhetit të shtetit për vitin 2020.
Ministri gjithashtu ka prezantuar një skemë garancie prej 2 miliardë eurosh, si kredi që do të mbështeten nga shteti, kështu që bankat nuk do të kenë një rrezik të madh për t’iu siguruar qytetarëve dhe bizneseve likuiditetin e mjaftueshëm për të shmangur falimentin. Nga ana tjetër, qeveria do të paguajë gjithashtu pagën minimale mujore për çdo punonjës të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për një periudhë tre mujore. Kjo masë përfshin më shumë se 900 mijë njerëz të cilët janë goditur më rëndë nga mbyllja aktuale e aktivitetit të biznesit dhe efekti financiar do të arrijë në 97.3 miliardë dinarë.
Paketa parashikon që, pagesa e taksave të pagave dhe kontributeve do të shtyhet për pas periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme dhe po ashtu edhe pagesa e taksës së të ardhurave të korporatave për tremujorin e dytë gjithashtu do të shtyhet. Javën e kaluar ishte vetë Presidenti serb Aleksandar Vucic, i cili deklaroi se Serbia do të sigurojë deri në 4.5 miliardë euro mbështetje për biznesin vendas./Atlas/.