Koronavirusi godet “Arin e zi”: Në Kosovë çmimet e derivateve bien si kurrë më parë

Çmimi i naftës ka rënë në nivelet më të ulta prej vitit 2002, pasi kërkesa për naftë të papërpunuar është zvogëluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Çmimi ka rënë më shumë se për gjysmë gjatë muajit të kaluar, pasi kompanitë e kanë zvogëluar ose ndërprerë prodhimin e naftës. Kërkesat për naftë kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.

Pandemia ka gjunjëzuar edhe tregun e naftës në Kosovë ku çmimet e derivative kanë rënë në nivelin më të ulët të shitjes ndonjëherë.

Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, qytetarët e Kosovës, aktualisht po furnizohen me çmimet më të ulëta të derivateve të naftës në regjion, përveç Maqedonisë e cila e ka 20 centë më lirë.

Fadil Berjani Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se kjo rënie vjen për shkak të mosinteresimit të qytetarëve për derivate si dhe si rezultat i masave të mara nga Qeveria.

Sipas tij çmimet e derivateve janë ulur që dy javë dhe se do të qëndrojnë edhe një kohë kështu, për shkak të situatës.

I pari i Naftëtarëve thotë se çmimi për naftë ka rënë në 0.89 cent, kurse benzina 0.86 cent. Sipas tij, këto çmime janë konstante që 2-3 javë.

“Gjithmonë çmimet i përcakton Bursë dhe organizata prodhuese OPEC, po njëherësh ka ndikuar edhe ky virus, i cili e ka kapluar tërë botën, sot çmimet në Kosovë sillen, çmimi dizell 89 cent ndërsa benzina 86 cent, qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonia që e ka 20 centë më të lirë. Këto çmime janë konstante që 2-3 javë qytetarët janë duke u furnizuar përafërsisht me të njëjtin çmim, sot ka rritje me çmim me shumicë, kurse me pakicë nuk ka rritje, kështu që të gjithë naftëtarët nuk janë duke luajtur me çmime për hire të situatës, po mundohemi të mbajmë një çmim konstantë për hire të qytetarëve që të furnizohen me një çmim, çfarë është më i liri”.

Berjani shprehet i shqetësuar për faktin se sektori i naftës ka pësuar rënie totale, ku me këtë rast 80 për qind e punëtorëve kanë mbetur pa punë. Ai thotë se kanë kërkuar nga Ministria e Financave t’i ndihmojë naftëtarëve, të tejkalojnë këtë krizë.

“Naftëtarët janë duke punuar 2 deri 5% kapacitet, nuk ka punë sektori i naftës është në rënie totale. Ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave, që të ndahen mjete për paga sepse mbi 80 për qind të gjithë punëtorët në sektorin e naftës, janë të liruar nga puna, kështu që të gjithë së b ashku të bëhemi ta kalojmë këtë virus, këtë krizë dhe pagat gjithsesi duhet të paguhen por kërkesa jonë ka qenë të jetë paga, siç janë në administrata tatimore, por sa do ku do ketë emergjencën e parë edhe me këtë pajtohemi 170 euro, për momentin, ndërsa në pakon e dytë do të kërkojmë që pagat të rriten”.

Kurse mediat botërore kanë raportaur se prilli do të jetë një muaj vendimtar për industrinë e naftës. Sic raportohet tashmë me një rënie më shumë se 65 për qind dhe që vazhdon ende me po të njëjtën tendencë, nxitur nga kriza e Coronavirusit dhe lufta e çmimeve midis Arabisë Saudite me Rusinë, çmimet e naftës së papërpunuar do të bien edhe më tej kur Arabia Saudite dhe të tjerët kthehen në puse, për rritjen e mëtejshme të prodhimit, pas marrëveshjes së 1 prillit të OPEC.

Nafta me çmime 20 dollarë për fuçi ishte e paimagjinueshme disa muaj më parë, ndërsa tani disa parashikime theksojnë se çmimet do të jenë aq të ulëta sa mund të arrijn edhe 10 dollarë, pasi prodhimi i tepërt do të bëjë që të mos ketë më hapësirë depozitimi, në një kohë kur ekonomia botërore po tkurret ndjeshëm.

Por kur situata të qetësohet, shumë analistë besojnë se do të jetë pikrisht Arabia Saudite, me besimin e saj të tepërt në të ardhurat e naftës që del përsëri në krye.

Nafta apo ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë.

Pasi që Kosova nuk ka rafineri të vetën, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 700 milionë litra të këtyre derivateve. Derivatet në Kosovë kryesisht importohen nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria./Monitor/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *