Sondazhi: Ja çfarë mendojnë drejtuesit e kompanive globale për gjendjen aktuale!

Drejtuesit e kompanive në të gjithë globin po pajtohen me realitetin se biznesi do të jetë gjithçka, përveç se jo normal gjatë muajve në vazhdim, pasi ndikimi i pandemisë Coronavirus vazhdon të përshkallëzohet. Por ndërsa të ardhurat mendohet të pësojnë një goditje afatshkurtër, shumica e drejtuesve mbeten të sigurt se kompanitë e tyre do të kthehen në një gjendje të qëndrueshme brenda vitit, sipas një studimi të ri.

Sondazhi i Organizatës së Drejtuesve të Rinj (YPO), publikuar të martën, zbuloi se 82% e drejtuesve të biznesit presin ulje të të ardhurave gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, por më shumë se gjysma (54%) parashikojnë se të ardhurat do të kthehen në gjendje normale brenda një viti, madje 61% e CEO-ve presin që investimet e tyre fikse totale të mbeten të pandryshuara. Studimi, i cili anketoi më shumë se 2,750 CEO në 110 vende të botës, u krye në 10-13 Mars 2020, vetëm disa ditë përpara masave të reja që synojnë të zvogëlojnë ndikimin e Coronavirusit. Që atëherë, disa shtete amerikane dhe qeveri në të gjithë globin kanë vendosur mbyllje të rrepta të bareve, restoranteve dhe bizneseve të tjera jo thelbësore.

Në kohën e sondazhit, të anketuarit në Azi dhe veçanërisht në Kina, origjina e virusit, po përballeshin me ndikim më të madh, madje 84% raportuan se ndiheshin të goditur fuqishëm. Rajoni pasohej nga Azia jugore, përkatësisht India, Nepal dhe Sri Lanka me 78%, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut me 74%, Europa me 70%, bizneset në Australi dhe Zelandën e Re me 52%, SHBA me 50% dhe Kanada 45%. Këto të fundit ishin ndjerë relativisht më pak të ndikuara. Vlen të përmendet se afërsisht gjysma e gjithë të anketuarve ishin nga SHBA.

Megjithatë, ky peizazh ka të ngjarë të ketë ndryshuar që atëherë, pasi ashpërsia e shpërthimit po intensifikohet. Qeveritë dhe bankat qendrore në të gjithë globin janë duke rritur masat e reja që synojnë të frenojnë ndikimin ekonomik të virusit. Të martën, Britania dhe SHBA publikuan paketat e reja fiskale për të mbështetur qytetarët dhe bizneset e tyre, ndërkohë që shum shtete europiane i kishin bërë ato të ditura që më herët./Atlas/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *