Pandemia është duke marrë fuqinë e një goditjeje shkatërruese në industrinë e shërbimeve të Eurozonës, e cila përbën tre të katërtat e ekonomisë së saj dhe kishte aftësinë të kompensonte edhe rënien e prodhimit vitin e kaluar. Por pas shpërthimit, linjat ajrore kanë anulluar fluturimet, qeveritë kanë mbyllur shkollat e çdo aktivitet tjetër dhe kanë imponouar bllokime mbarëkombëtare, ndaj recesioni duket i pashmangshëm.
Ndërsa Italia është më e goditura nga virusi me 25,000 raste të prekura, vala goditëse po përhapet me shpejtësi edhe në ekonomitë më të mëdha të rajonit. Franca ka mbyllur bizneset jo thelbësore dhe Spanja ka shpallur emergjencë kombëtare. Gjermania ende nuk ka imponuar ndonjë bllokim kombëtar, por kjo mund të jetë vetëm çështje kohe. Qeveria tha të hënën se nuk pret më që ekonomia të rimëkëmbet në tremujorin e parë pasi virusi goditi shërbimet, si dhe kërkesën për eksporte.
Përveç shkollave, bareve dhe restoranteve që janë mbyllur, të gjitha turnetë sportivë janë pezulluar gjithashtu. Qeveria e Irlandës mbylli madje edhe aktivitetet publike për Ditën e Shën Patrisit, festën kombëtare të vendit në 17 Mars, një ngjarje me vlerë miliona euro për ekonominë. Si rrejdhim, ekonomistët kanë zvogëluar parashikimet e tyre për zonën e euros dhe shumë e shohin recesionin si rezultatin më të mundshëm në gjysmën e parë të vitit, ndërsa qeveritë zotohen të shpenzojnë miliarda për të mbështetur kompanitë dhe familjet.
Rikuperimi varet nga përpjekjet për ta përmbajtur shpërthimin, por është e paqartë se sa shpejt bllokimet e aktivitetit njerëzor do të ngadalësojnë përhapjen e virusit. Komisioni Evropian thotë se ekonomia mund të tkurret me rreth 1% këtë vit.
Eduardo Estevez Gudino, drejtor i Shoqatës së Bizneseve Familjare në Castilla dhe Leon, një rajon spanjoll, tha se vendimi për të anuluar takimin vjetor të grupit është një shembull i efekteve të zbehta të Coronavirusit. 150 anëtarët e shoqatës u desh të anulonin rezervimet e hoteleve dhe kontratat me kompanitë e prodhimit që bashkonin ngjarjen. “Pasojat ekonomike të Coronavirusit janë katastrofike.” tha Estevez Gudino.
Situata e tmerrshme e ka kthyer botën përmbys brenda disa javësh. Bankat Qendrore janë detyruar të kthehen me lehtësime monetare dhe Bashkimi Evropian mund të pezullojë rregullat fiskale të deritanishme për të lejuar hapësirë për stimuj. Edhe Gjermania e buxhetit të balancuar, u zotua të shpenzojë gjithçka të nevojshme për të luftuar ndikimin ekonomik.
Ministrat e financave të BE u takuan dje në Bruksel për të vendosur mbi përgjigjen e tyre për të parandaluar që goditja afatshkurtër të bëhet rënie afatgjatë dhe çështja kryesore është të ndihmojnë kompanitë për të mbuluar shpenzimet deri sa të përmirësohet situata.
“Ne duam të sigurohemi se jemi në gjendje t’i ruajmë kompanitë tona, të ruajmë vendet e punës sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të shmangim dëme më afatgjata në ekonomi.” tha Nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis. Por çfarë thonë Ekonomistët e Bloomberg? “Meqenëse asnjë politikë monetare dhe as fiskale nuk mund të sjellë rezultate, tashmë që njerëzit nuk lejohen të punojnë ose të bëjnë blerje, përqendrimi duhet të jetë në sigurimin që ndikimi të mos zgjatet në kohë.” shprehet Jamie Rush nga Bloomberg.
Të dhënat ekonomike nuk paraqesin ende përmasat e plota të pasojave, por shenjat po bëhen të dukshme. Në Indeksin mujor të blerjeve për muajin shkurt, firmat e shërbimeve thanë se kërkesa e huaj ra në vlerën më të ulët të pesë muajve të fundit dhe publikimi tjetër, pas dy javëve, me siguri do të tregojë një panoramë edhe më të zymtë.
Në fillim të këtij viti, ekonomistët kishin pritur një stabilitet në sektorin e shërbimeve për të ndihmuar në zgjerimin modest të Eurozonës. Ata madje menduan se shërbimet do të vazhdonin të ishin kundërpeshë pasi prodhimi shënonte përsëri shumë mangësi. Por ndërsa qeveritë njoftojnë gjithnjë e më shumë masa drastike për të ndaluar përhapjen e virusit, drejtuesit e kompanive thonë se shpresojnë që veprimet, edhe pse të dhimbshme, do të rezultojnë të suksesshme./Atlas/