Deri vonë, shumica e politikëbërësve dhe investitorëve mbetën të vetëkënaqur për ndikimin e mundshëm ekonomik të Coronavirusit. Kjo pasi deri në fund të shkurtit, gabimisht u supozua se do të kishte vetëm një ndikim të shkurtër, të kufizuar e specifik për Kinën. Tani ata kuptuan se situata degradoi një tronditje globale, e cila mund të jetë e mprehtë, por që ende pritet të jetë e shkurtër. Po sikur ndërprerja ekonomike të ketë një ndikim të qëndrueshëm? A mundet madje që pandemia e Coronavirusit madje të jetë goditje fatale për epokën e tanishme të globalizmit?
Kriza e koronavirusit ka nxjerrë në pah frikën e investitorëve mbi kufizimet e tregtisë globale dhe flukseve të njerëzve. Të gjitha llojet e bizneseve kanë kuptuar papritur rreziqet e mbështetjes në zinxhirë komplekse të furnizimit global që janë specifike jo vetëm për Kinën, por edhe për vendet e veçanta të tilla si Wuhan, epiqendra e pandemisë. Populli kinez në fillim dhe tani italianët, iranianët, koreanët dhe të tjerët, janë parë gjerësisht si vektorë të sëmundjes e cila nisi nga Kina. Politikanë të vjetër republikanë në Shtetet e Bashkuara madje e kanë etiketuar sëmundjen si “Coronavirusi kinez”.
Ndërkohë, qeveritë e të gjitha shteteve kanë nxituar të vendosin ndalime udhëtimi, si rasti i Donald Trump që ndaloi çdo fluturim nga Europa. E gjithë kjo po i bën ekonomitë më kombëtare dhe politikat më nacionaliste.
Sigurisht, pjesa më e madhe e kësaj ndërprerjeje mund të jetë e përkohshme, por kriza e Coronavirusit ka të ngjarë të ketë një ndikim të qëndrueshëm, veçanërisht kur forcon tendencat e tjera që tashmë po dëmtojnë globalizimin. Ajo mund të sjellë një goditje në zinxhirët e fragmentuar të furnizimit ndërkombëtar, të zvogëlojë hipermobilitetin e udhëtarëve të biznesit global dhe të sigurojë ushqim politik për nacionalistët që favorizojnë proteksionizëm më të madh dhe kontrolle të emigracionit.
Zinxhirët komplekse të furnizimit me qendër në Kinë, në të cilat mbështeten shumë kompani perëndimore janë veçanërisht në rrezik. Avantazhi i kostos së prodhimit në Kinë ka gërryer ekonomitë e zhvillura vitet e fundit ndërsa vendi është bërë më i pasur dhe pagat janë rritur. Këto rreziqet dolën në pah edhe më herët nga vendosja e tarifave ndëshkuese të Presidentit Trump për importet nga Kina në vitin 2018 dhe 2019, duke nxitur bizneset të kërkonin për alternativa prodhimi.
Ndërsa marrëveshja e janarit shënoi një armëpushim të brishtë në luftën tregtare të SHBA-së dhe Kinës, rreziqet e prodhimit në Kinë vazhdojnë të mbeten ende. Tashmë të dyja palët demokratë dhe republikanë po e shohin gjithnjë e më shumë Kinën si një rival strategjik afatgjatë që duhet të përmbahet. Dhe jo shumë vonë pasi ishte ndërprerë lufta tregtare, ndërhyri Coronavirusi. Mbyllja e shumë fabrikave kineze ka rrëzuar eksportet me 17% në dy muajt e parë të vitit në krahasim me një vit më parë dhe për pasojë është ndërprerë prodhimi i makinave, iPhone-ëve dhe mallrave të tjera të konsumit.
Inercia është e fuqishme. Ka ende shumë përparësi për të prodhuar në Kinë, të tilla si ekonomia e shkallës dhe logjistika efikase. Por kriza e Coronavirusit mund të shënojë një pikë kthese që do i bëjë shumë biznese të rimodelojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të investojnë në modele më të qëndrueshme, apo shpesh edhe më lokale të prodhimit.
Një opsion është të zhvendoset dhe diversifikohet operacioni në ekonomitë e tjera aziatike, të tilla si Vietnami apo Indonezia. Një tjetër është të shkurtohen zinxhirët e furnizimit, me ndërmarrjet amerikane që lëvizin prodhimin në Meksikë dhe ato europiane në Europën Lindore ose Turqi. E treta është të investohet në robotë, brenda ekonomive të përparuara, duke prodhuar në vend më shumë për konsumatorët.
Një pasojë e dytë e qëndrueshme e krizës Coronavirus do të ndihet në sektorin e udhëtimeve të biznesit. Gjigandët e teknologjisë kanë argumentuar prej kohësh se videokonferencat dhe aplikacionet chat do të eliminojnë nevojën për shumicën e udhëtimeve në biznes dhe do t’u lejojnë njerëzve të punojnë nga shtëpia. Megjithatë, deri në krizën e Coronavirusit, udhëtimet e biznesit vazhdonin të rriteshin. Tani, qoftë për shkak të ndalimeve nga qeveritë, vendimeve të biznesit, apo edhe për shkak të kujdesit individual, udhëtimet ndërkombëtare janë anuluar dhe ata shumica po punojnë nga shtëpia.
Nga ana tjetër, ndoshta më e rëndësishmja, Coronavirusi është një kartë shumë e favorshme në duart e nacionalistëve që i mëshojnë kontrolleve më të mëdha të emigracionit dhe proteksionizmit. Shpejtësia dhe shtrirja e përhapjes së virusit në të gjithë globin ka nxjerrë në pah dobësinë e njerëzve ndaj kërcënimeve të huaja në dukje të largëta. Coronavirusi nuk është përhapur vetëm në qendrat globale si Londra dhe New York. Ai gjithashtu ka prekur edhe qytete të vogla dhe shtete në zhvillim.
Ndërsa liderët ndërkombëtarë kanë mashtruar fjalë të bukura për nevojën për bashkëpunim ndërkufitar përballë një kërcënimi të përbashkët, veprimet e tyre tashmë po tregojnë se ata nuk e besojnë vërtet këtë. Edhe brenda tregut të vetëm, dukshëm pa barriera, Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania kanë ndaluar eksportimin e maskave të fytyrës midis njëra-tjetrës. Akoma më tronditëse ishte fakti se asnjë nga 26 qeveritë e tjera të BE-së nuk iu përgjigj thirrjes urgjente të Italisë për ndihmë mjekësore. E vetmja përgjigje pozitive erdhi nga Kina!
Në përgjithësi, kriza e koronavirusit është një dhuratë politike për nacionalistët dhe proteksionistët. Ajo ka rritur perceptimet se të huajt janë një kërcënim dhe ka vënë në dukje faktin se vendet në krizë nuk mund të mbështeten gjithmonë tek fqinjët e tyre dhe aleatët e ngushtë për ndihmë. Më gjerësisht, nga situata dalin me më pak ndikim të gjithë ata që besojnë në një qeverisje të fortë, duke i dhënë përparësi nevojave shoqërore mbi lirinë individuale dhe veprimit kombëtar mbi bashkëpunimin ndërkombëtar.
Si rezultat, kriza e Coronavirusit kërcënon të krijojë një botë më pak të globalizuar. Pasi të zvogëlohet pandemia dhe paniku, ata që besojnë se hapja ndaj njerëzve dhe produkteve nga e gjithë bota është përgjithësisht e mirë, do të duhet të kenë argumenta të forta dhe bindëse, pasi tashmë nacionalistët dukshëm po fitojnë terren. Foreign Policy./Atlas/