Gjermania ka vendosur që, në vazhdimësi të masave dhe stimulit financiar për të minimizuar sa më tepër të jetë e mundur ndikimin ekonomik të Coronavirusit, të sigurojë likuiditet të pakufizuar. Kështu qeveria e kancelares Angela Merkel sinjalizoi se do të vendosë në dispozicion të gjitha mjetet e mundshme për të ndihmuar kompanitë dhe punëtorët të përballen me ndikimin e Coronavirusit. Qëllimi është të sigurohet që firmat në ekonominë më të madhe të Evropës të kenë likuiditet të mjaftueshëm për t’i ndihmuar ato të kalojnë krizën. Kjo është bërë e ditur nga ministritë e Financave dhe Ekonomisë.
Ministri i Financave Olaf Scholz, gjatë një deklarate të fundit ka theksuar se nuk do të ketë kufi për paratë në dispozicion të firmave dhe biznesve të tregut. Ndër të tjera ai tha: “Ne kemi forcën financiare për ta përballuar këtë krizë. Kemi mjaft para dhe po i vendosim ato në dispozicion. Ne jemi duke përdorur të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur punëtorët dhe kompanitë. Madje, nëse kërkohet dhe është e mundur, Gjermania do të marrë edhe borxh të shtuar.”