Për shkak se grumbullimet masive duhet të shmangen në këtë periudhë që po qarkullon koronavirusi, bizneset e call center rrezikojnë falimentin.
Agron Shehaj, pionier i call center në Shqipëri, ka pohuar se bizneset e këtij sektori rrezikojnë të falimentojnë për shkak të situatës. Ai tha së dëmi është i pallogaritshëm, duke pohuar se do të ketë një seri të pashmangshme falimentesh.
Italia, burimi kryesor i punës për call center me Shqipërinë, është tashmë në karantinë, ndërsa në Shqipëri, virusi është në ditët e para të përhapjes së tij.
Autoritetet shëndetësore në vend kanë këshilluar që të shmangen grumbullimet e mëdha, me sugjerime të tilla si grumbullime familjare p.sh., dasmat dhe funeralet. Bizneset e call center dhe fasonit janë të parat që do të shpërbëhen në një situatë edhe më të agravuar.
Teksa qeveria italiane ka marrë masa që të kompensojë humbjet që u vijnë bizneseve nga kjo situatë, Shqipëria nuk ka mundësi financiare të tilla. Shpenzimet publike shqiptare janë të pamjaftueshme për të mbuluar as nevojat elementare të spitaleve për të përballuar flukset, por të kompensuar bizneset dhe popullsinë në karantinë as që bëhet fjalë.
Gjatë vitit të kaluar operonin 659 biznese si call center. Sektori njohu një zgjerim të shpejtë ku, nga 382 ndërmarrje që vepronin në 2011, numri i tyre kërceu në 848 në vitin 2015, ku është regjistruar edhe numri më i lartë në vend. Bashkë me rritjen në numër, u rrit edhe pesha e punësimit të sektorit në ekonomi, duke u bërë shpëtimtar i shumë të rinjve, që po arrinin të siguronin paga mbi mesataren e tregut të punës në Shqipëri.
Sipas të dhënave që i takojnë 6-mujorit të parë të vitit 2019, në call center punonin 22,266 individë, nga 25 mijë të punësuar që punësonte i gjithë sektori në periudhën 2015-2016, duke shënuar një rënie me 11%.
E parë në përqindje, rënia ka qenë më e madhe te bizneset, të cilat për të njëjtën periudhë u mbyllën me një ritëm më të shpejtë se sa numri i të punësuarve.
Aktorët e tregut shpjegojnë se një pjesë e call center të mbyllur ishin qendra të vogla me pak të punësuar. Rënia e sektorit call center vitet e fundit u nxit nga masat shtrënguese që mori qeveria italiane për veprimtaritë call center jashtë shtetit italian, duke aplikuar gjoba të rënda për shkeljen e tyre./Monitor/