Përhapja e koronavirusit pritet të ketë ndikim të fortë edhe në ekonominë e vendit. Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, i bëri thirrje qeverisë dhe pushtetit lokal të ndihmojë biznesin, që kjo epidemi të mos krijojë katastrofë ekonomike.
Neranxi bën apel për lehtësimin e barrës së biznesit, ndërsa në emër të shoqatës, propozon katër mënyra se si qeveria mund të kontribuojë për mirë.
Reagimi i plotë:
Thirrje qeverisë dhe pushtetit lokal: Ndihmoni biznesin që kjo epidemi të mos krijojë katastrofë ekonomike!
Në ditët e vështira që po kalojmë, si qytetarë por edhe si sipërmarrës, vendimmarrja e shpejtë dhe solidariteti, janë domosdoshmëri. Duke marrë edhe eksperiencën e vendeve të tjera, se si po e përballojnë epideminë e koronavirusit, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, i kërkon pushtetit qendror dhe lokal të marrë disa masa të karakterit ekonomik.
Deri tani, na është thënë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe biznesit i kërkohet t’i paguhet paga, prindit që do të rrijë me fëmijën. Kërkohet me të drejtë mbyllja e shumë bizneseve ku ka kontakte të afërta mes njerëzish. Ndërkohë nuk dëgjuam se çfarë kjo qeveri do të bëjë, për t’i krijuar mundësi këtij biznesi të qëndrojë në këmbë, i cili edhe pa rënë virusi, ka kohë që zvarritet në kufijtë e mbijetesës. Që të ndihmojmë punonjësit të mbajnë vendet e punës, që të mos pushojmë njerëz nga puna në këtë situatë të vështirë, që të lehtësohen problemet financiare që shkaktohen nga rënia e konsumit, ShMTTSh propozon si më poshtë:
– Lehtësim të barrës fiskale! Heqje të disa taksave dhe tarifave, të cilat edhe në situata jo emergjente, janë të tepërta.
– Mosaplikim i kamatëvonesave në pagesat e faturave të ujit dhe të dritave.
– Mosaplikim i gjobave për vonesa në pagesat e TVSh apo tatimfitimit.
– Negocim me bankat për shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive.
Emergjenca sanitare dhe emergjenca ekonomike duhet të trajtohen me të njëjtin seriozitet./Monitor/.