Instituti GAP ka publikuar raportin “Shtrenjtimi i sigurimit të veturave: mostransparenca dhe kufizimi i konkurrencës së lirë”. Edhe pse vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ka ndikim të madh ekonomik, qoftë për qytetarët apo industrinë e sigurimeve, as vendimi e as raporti i vlerësimit (aktuarial) nuk janë bërë publike. Për më tepër, vendimi nuk është në përputhje me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me opinionin profesional të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK).
Më 31 tetor 2019, Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës, i përbërë nga guvernatori dhe dy zëvendësguvernatorët, mori vendim që tarifat për automjete për pasagjerë (kategoria 1) për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia të rriten për 26%. Ndonëse rishikimi i tarifave është në përputhje me rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ky institucion nuk sugjeron ndonjë normë të caktuar të rritjes, por vetëm konstaton se në rishikimin e tarifave duhet të merren parasysh zhvillimet e tregut, siç janë inflacioni në shpenzimet mjekësore, ndërrimi i sjelljes së shoferëve për shkak të teknologjisë apo ndryshimi i profileve të rrezikut si pasojë e vendimeve gjyqësore. BQK nuk ka marrë parasysh raportin aktuarial e asnjërin nga këta faktorë, mirëpo ka ngritur tarifat në përputhje vetëm me shkallën e inflacionit gjatë periudhës 2002-2018, edhe pse FMN përmend se tarifat janë rishikuar në vitin 2011, e jo 2001 ashtu siç deklaron BQK.
Ky vendim është në kundërshtim edhe me opinionin profesional të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, megjithëse BQK vetë e kishte inicuar kërkesën ndaj AKK-së lidhur me përputhshmërinë e vendimit me parimet e konkurrencës së lirë. Duke qenë se kompanitë kanë strategji të ndryshme të shitjes, profile të ndryshme të klientëve, e strukturë të ndryshme të shpenzimeve, AKK kishte thënë që duhet të shmanget bashkëveprimi i kompanive dhe se caktimi i çmimit në mënyrë uniforme është në kundërshtim me parimet e konkurrencës së lirë. Problem tjetër që ndikon në besueshmërinë e publikut ndaj këtij vendimi është transparenca e ulët e BQK-së gjatë dhe pas vendimmarrjes. As vendimi i bordit e as raporti aktuarial nuk janë publikuar në faqen e BQK-së.
Andaj, duke u bazuar në opinionin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi kapacitetet e aktuarit, Instituti GAP ngre dyshime mbi legjitimitetin e këtij vendimi. Duke pasur parasysh peshën e këtij vendimi, Instituti GAP i rekomandon Kuvendit të Kosovës të angazhojë një kompani ndërkombëtare profesionale e cila do të ndihmonte që të bëhej një rishikim profesional i vendimit për shtrenjtimin e sigurimit të veturave.