Në mbledhjen e pesë të Qeverisë së Kosovës, pas më shumë se një muaji që prej kur u votua ekzekutivi në krye me Albin Kurtin, është miratuar programi qeverisës.
Ky program, që ende nuk është publikuar në ueb faqen e Qeverisë së Kosovës, është fokusuar në shtatë shtylla kryesore, në ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri; integrime euro-atlantike dhe mjedis.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregull, të pestën me radhë, ka shqyrtuar dhe miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023. Programi identifikon prioritetet qeverisëse brenda mandatit kushtetues të kabinetit aktual qeverisës si dhe orientimet e veprimit dhe objektivat e synuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës për media të ekzekutivit kosovar.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse janë të ndryshme për nga orientimi ideologjik, në fillim të muajit shkurt u bënë bashkë për të qeverisur vendin në katër vjetët e ardhshme.
“Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky program bazohet drejtpërdrejt në Marrëveshjen e Koalicionit”, thuhet në komunikatë.
“Në përputhje me marrëveshjen e koalicionit ndërmjet partnerëve qeverisës, qeverisja do të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në ato fusha, ku nuk ka progres të ndjeshëm, si në: drejtësi; ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri; integrime euro-atlantike dhe mjedis”, thuhet tutje në njoftim.