Shfuqizohet vendimi i Qeverisë Haradinaj që i mundësonte Bechtel-it 50 milionë euro shtesë për autostradë

Sot është anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ky anulim ka ardhur në mbledhjen e Qeverisë e cila është mbajtur sot, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Këtë vendim e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka marrë edhe mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar

Abdixhiku në Facebook ka shkruar se në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim të paprecedentë që t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka.

“Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë. Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet”, ka shkruar ai.

Ai duke falënderuar Bechtel-Enkën për punët e bëra deri më sot, ka shkruar se rrugëtimi me ta, me dy autostradat e deritanishme përfudon sot.

“Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurrojnë – barabartë me secilën palë tjetër”, ka shkruar ai./Koha.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *