BQK ia hoqi liçencën, “IuteCredit” e dërgon Kosovën në arbitrazh

Kompania financiare “IuteCredit”, ka dërguar Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pasi Banka Qendrore (BQK) ia ka revokuar licencën muaj më parë.

BQK-ja ka mbyllur “IuteCreditin” dhe “Monegon” në fillim të dhjetorit të 2019-s, duke thënë se funksiononin me norma të interesit jashtë çdo standardi.

Në një publikim nga “globalarbitrationreview”, të premten mbrëma, thuhet se kompania estoneze tashmë ka dërguar padinë ndaj Kosovës, pasi që Banka Qendrore ia ka revokuar licencën e biznesit të degës së saj, për shkak të normave të larta të interesit.

Ndërsa në një njoftim paralajmërues më 26 shkurt, “IuteCredit” ka thënë se kompania amë ka paraqitur kërkesën për arbitrazh para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, meqenëse Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë shpjegim apo zgjidhje në lidhje me revokimin e papritur dhe të paligjshëm të licencës së ‘IuteCredit Kosova.

Sipas njoftimit, kryeshefi ekzekutiv i “IuteCredit Europe”, Tarmo Sild, ka thënë se “revokimi i licencës afariste në një kohë kur portfoli i kredisë së degës lokale ishte rreth 12 milionë euro të shpërndara në 25.000 kredi përbën shkelje të obligimeve të Kosovës të përcaktuara në Ligjin për Investimet e Huaja, meqenëse nuk ka pasur ndonjë arsye valide për një veprim të tillë”.

Ai kishte thënë se kjo kompani ka përjetuar humbje që duhet të kompensohen, e se shuma specifike do të përcaktohet në këtë arbitrazh.

Pos “IuteCreditit”, licenca e biznesit i ishte marrë edhe “Monegos”. Ky institucion ende nuk ka dërguar Kosovën në arbitrazh, e se po insiston që t’i shterë të gjitha mjetet ligjore në kuadër të sistemit ligjor në Kosovë, para se të kërkojë kompensim me padi në Arbitrazh.

Në BQK nuk kanë folur shumë për këtë çështje vetëm se kanë thënë se janë të gatshëm t’i mbrojnë vendimet e veta.

“Banka Qendrore e Kosovës vlerëson dhe është e bindur se vendimi është plotësisht në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi dhe është e gatshme të mbrojë këto vendime në cilëndo gjykatë që paraqitet”.

“Monego” dhe “IuteCredit” janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm. Në një rast në Kosovë ishte aplikuar normë interesi në lartësinë 1,987 për qind.

Veprimtaria e këtyre të dyjave është mbyllur në fundvit në Kosovë.

Të dyja dhe 61 biznese të tjera të kësaj natyre veprojnë në 32 shtete. Që të gjitha janë nën kupolën e “Mintos”, e cila përmbledh një investim në hua prej 4.5 miliardë eurosh. Ajo e ka për themelues letonasin Aigars Kesenfelds, njeriun që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron si aksionar i vetëm i “Monegos”, por i cili qëndron edhe pas “Mogos”. Është përfitues i fundit edhe i shumë bizneseve, ani se emri i tij nuk figuron si aksionar.

Përpos Kosovës, institucione me këtë veprimtari janë shtrirë edhe në disa vende të rajonit. Janë aktive në Shqipëri dhe në Maqedoni, por jo edhe në Serbi, në Mal të Zi, në Kroaci a Slloveni.

Në Shqipëri vepron edhe “Iute Credit”, “Mogo” dhe “Kredo”, ndërkaq në Maqedoni “Iute Credit” dhe “Tigo”./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *