Industria e turizmit ka marrë një nga goditjet më të mëdha nga shpërthimi i Covid-19, pasi bllokimet kanë ndalur dhe vijojnë të ndalin sektorin, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO).
Organizata vlerësoi se pandemia, e cila deri më tani ka marrë jetën e mbi 137 mijë personave në të gjithë botën, do të ndikojë edhe në ardhjen e turistëve ndërkombëtarë, duke ulur numrin e tyre në 20-30 për qind, nga një rritje e vlerësuar prej 3-4 për qind, e parashikuar në fillim të janarit.
Kjo do të përkthehej më pas në një humbje prej 30 – 50 miliardë dollarësh në të ardhurat nga shpenzimet e vizitorët ndërkombëtarë.
Në Europë, të ardhurat e pasagjerëve të linjave ajrore pritet të bien me 76 miliardë dollarë krahasuar me vitin e kaluar.
Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit ka paralajmëruar se 75 milion vende pune në të gjithë botën janë në rrezik.
Disa vende europiane janë veçanërisht të varura nga turizmi. Italia, Spanja dhe Franca, tre vendet anëtare të goditura më së shumti nga COVID-19, së bashku llogaritisin gjysmën e netëve totale të shpenzuara nga jorezidentët në BE në vitin 2018, sipas Eurostat.
Greqia është gjithashtu e ndjeshme pasi mbi një e treta e fuqisë punëtore të ekonomisë ishte e punësuar nga sektori i turizmit në vitin 2017. Ajo ndiqet nga ishulli Mesdhetar i Qipros (20 për qind) dhe Irlanda (14 për qind).
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia botërore është në rrugën e duhur për të regjistruar një nga vitet e saj më të këqija që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Ekonomitë e eurozonës do të jenë ndër më të goditurit me PBB-në për 19 vendet që pritet të tkurret me 7.5 për qind. Tre vendet me ndikim më të madh të BE-së do të jenë Italia, Spanja dhe Franca, të cilat pritet të tkurren përkatësisht me 9.1 për qind, 8.0 për qind dhe 7.2 për qind./Euronews