Kriza në tregjet financiare botërore shkaku i pandemisë së Coronavirusit ka prekur edhe paratë e kontribuesdhënësve të Kosovës, që ruhen në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trusti).
Sipas raportimit të fundit nga ky institucion, vetëm për një ditë janë humbur 14.1 milionë euro në investime, apo brenda vitit aktual janë 104.53 milionë euro më pak nga kthimi bruto.
Lidhur me këtë, Trusti thotë se kjo ka ardhur si pasojë e rënies së tregjeve në botë të shkaktuara nga pandemia.
“Kriza aktuale globale, nga pandemia COVID-19, ka prekur të gjitha investimet në botë, e natyrisht edhe investimet e Trustit”.
Në Trust thonë se, kontribuuesit që pensionohen gjatë këtij viti nuk do të ndikohen nga kjo rënie në investime.
“Lajmi kryesor tani është se Trusti ka marrë masa që asnjë kontribuues i moshës, që pensionohet gjatë vitit 2020, nuk do të ndikohet nga rënia e investimeve. Ata pra janë të mbrojtur e imun ndaj çfarëdo lëvizje negative gjatë këtij viti, kur edhe pensionohen”, njofton Trusti.
Trusti ka nën menaxhim mbi 1.8 miliard euro, apo 3.6 për qind më pak sesa kishte në fund të vitit 2019. Kurse, vitin vitin e kaluar e kishte mbyllur më performancë pozitive në investime. Kthimi në investime ishte 161 milionë euro.