Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën e fortë rënëse edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 127.68 lekë, me një rënie prej 0.83 lekë në rapprt me ditën e mëparshme.
Në tre ditët e fundit euro është nënçmuar me 3.38 lekë. Kjo rënie erdhi pas mbiçmimit të fortë që shënoi euro dhe gjithë valutat e tjera që prej 12 marsit, kur filloi dhe pezullimi i lëvizjeve dhe aktiviteve ekonomike për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Euro u ngjit me shpejtësi deri në niveline 131.06 lekëve, nivel të cilin nuk e kishte kapur që prej dy vitesh.
Gjithsesi, valutat vijojnë të qëndrojnë në nivelin më të lartë të afër dy viteve, pas rritjes së tyre gjatë dy javëve të fundit, që erdhi si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve ekonomike dhe të qytetarëve nga koronavirusi si dhe pezullimit të lëvizjeve të avionëve që shërbenin dhe për transferimin e valutës për bankat.
Ekspertët pohuan se rritja e shpejtë e valutave ishte artificiale, e ndikuar kryesisht nga pamundësia e bankave për të sjellë valutën në vend, por në momentin që kjo u zgjidh gjatë fundjavës, atëherë tregu erdhi drejt qetësimit.
Gjithsesi, pasiguria vijon të mbetet e lartë. Në agjencitë valutore diferenca në shit-blerje është e lartë, çka ndodh gjithnjë kur ka luhatje të mëdha në treg./Monitor/.