Hiqet taksa, vendoset reciprociteti me Serbinë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sot është një ditë e veçantë pasi që nga sot taksa 100 për qind ndaj Serbisë do të zëvendësohet me reciprocitet. Por, reciprociteti nuk do të vlejë për Bosnje e Hercegovinën, pasi Kurti tha se nuk dëshiron që këtë shtet ta trajtojë njëjtë si Serbinë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur në konferencë për media se taksa ndaj produkteve serbe do të hiqet tërësisht dhe do të zëvendësohet me reciprocitet.

Vendimi do të hyjë në fuqi sot para mesnatës dhe do të mbetet deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim se si ka ecur vendimi sa i përket implementimit.

“Këtë vendim që po e marrim sonte detyrohen ta zbatojnë Policinë Kufitare, Dogana e Kosovës, Agjencia e Veterinarisë dhe institucionet e tjera. Në këtë mënyrë ne po e sjellim vendimin që hyn në fuqi menjëherë me rastin e nënshkrimit, ndërkohë që mbledhja do të zgjasë deri në orën 22:00. Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor dhe do të bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm për të parë se si ka ecur zbatimi dhe implementimi. Nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë, por pika 3 e këtij vendim-propozimi thotë se do të rishikohen zbatimet së paku njëherë në muaj duke i mbledhur të dhënat nga zyrtarët tonë doganorë”.

Më herët taksa ishte hequr vetëm për produkte të lëndës së parë që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Po e fillojmë zbatimin si zëvendësim për tarifën dhe ne me këtë rast i referohemi vetëm Serbisë dhe jo Bosnje e Hercegovinës.  Nuk duam që këto dy shtete t’i trajtojmë njësoj  dhe e dimë që edhe Bosnja vuan nga Serbia. Neve na lufton prej së jashti, atë e lufton së brendshmi. Në këtë kuptim jemi të bindur se veprimi ynë si gjest i vullnetit të mirë që të hasë në mirëkuptim në popullin atje, por edhe institucionet ta pasojnë këtë me heqje të vizave. Ne s’e njohim dhe ata s’na njohin, por ne nuk e duam mosekzistencën e Bosnjës. Prishtina dhe Sarajeva të mos i kenë këto pengesa për qarkullim”.

Kurti tha se masa e reciprocitetit është në vijë me marrëveshjen e CEFTA’s dhe praktikat tregtare europiane.

Ky vendim duhet të zbatohet nga kontrollet kufitare, Dogana, Policia e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjenciaa për produkete dhe pajisje mecinale dhe institucionet e tjera.

Në anën tjetër, Kurti bëri të ditur se tarifa 100 për qind ndaj produketeve të Bosnje e Hercegovinës do të hiqet plotësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *