Pas gjendjes me të cilën përballet vendi së fundi, si pasojë e përhapjes së Coronavirusit, qeveria është detyruar të ndryshojë buxhetin e vitit 2020. Ndryshimet e buxhetit të vitit 2020 janë zyrtarizuar nëpërmjet nj Akti Normativ që ka hyrë në fuqi.
Sipas dokumetit të bërë publik nga Ministria e Financave, vihet se për vazhdimin e vitit pritet një reduktim i ndjeshëm i të ardhurave në masën e 20 miliardë lekëve ose 162 milionë eurove. Arkëtime më të ulëta priten thujase në të gjitha burimet kryesore të tatimit, si TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, të ardhurat nga akciza apo edhe nga tatimi mbi të ardhurat personale, që pritet të gjenerojnë më pak para se sa plani fillestar.
Ndërkaq, për sa i takon shpenzimeve, nga ndryshimet e bëra rezulton se ky zë do të rritet me 9 miliardë lekë. Fondet buxhetore do të shkojnë për financimin e shëndetësisë, për pajisje, medikamente mjekësore e shërbime të tjera si dhe për financimin e paketave sociale. Në këtë kuadër, me ndryshimet e fundit, Ministrisë së Shëndetësisë i shtohet një fond prej më shumë se 46 milionë lekësh, për plotësimin e nevojave dhe marrjen e masave për luftën ndaj përhapjes së Coronavirusit.
Si rrjedhim, me rritjen e mëtejshme të shpenzimeve, deficiti buxhetor është dyfishuar duke arritur në 3,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 2,2% që ishte planifikuar në draftin fillestar. Për pasojë, kjo do të sjellë rritje të borxhit publik në nivelin e 68.8% të PBB-së./Atlsa/