5 mënyra se si të punoni të përqendruar në epokën e koronavirusi

Ndoshta koronavirusi po ju bën të veproni kundër vullnetit tuaj, por nuk ka dyshim, se të gjithë jemi në një moment të rëndësishëm evolucioni sa i përket botës së punës. Megjithatë, edhe pse bota rreth jush po ndryshon shumë shpejt, kjo nuk do të thotë që ju të mos ruani qetësinë. Edhe në këto kohë krize, jeta vazhdon. Dhe puna sigurisht që duhet bërë.

Më poshtë janë pesë strategji se si të punoni i përqendruar në kohën e koronavirusit. Këto strategji mund t’ju duken shumë të thjeshta, por mos e gënjeni veten. Ndonjëherë, janë pikërisht gjërat e thjeshta që bëjnë diferencën.

Ruani qetësinë

Ndërkohë që përgatiteni për të punuar nga shtëpia për një periudhë të gjatë për të shmangur përhapjen e koronavirusit është e rëndësishme që të mos ju kapë paniku. Paniku rrallëherë i bën mirë ndokujt në një situatë krize, pasi i përqendron gjithë energjitë tuaja te mbijetesa. Kjo nuk do të thotë që të humbni aftësinë të shikoni se çfarë po ndodh rreth e qark jush dhe të përballeni me të në mënyrë të kthjellët.

Nëse e kapni veten nën stres, përqendrohuni tek frymëmarrja juaj. Mendojeni pak: Ne mund të mbijetojmë për javë të tëra pa ngrënë dhe për disa ditë pa pirë ujë, por nuk mund të qëndrojmë më shumë se dy-tre minuta pa marrë frymë. Kudo që të jeni, ju mund të merrni frymë thellë disa herë për të qetësuar ankthin.

Përqendrohuni te qëllimi juaj

Të pasurit e një objektivi të qartë ku ju mund të fokusoni energjitë dhe vëmendjen tuaj është vërtetuar se ju ndihmon në momente stresi duke reduktuar emocionet negative si nervozizmin, dëshpërimin, vetminë, zemërimin dhe stresin e përgjithshëm në përgjithësi.

Konsiderojeni punën tuaj si qëllimin tuaj. Përqendrojeni vëmendjen te rezultatet (edhe pse zyra juaj tashmë është shtëpia) duke dhënë maksimumin dhe duke bërë më të mirën. Kujtojini vetes se jeni pjesë e një tabloje më të madhe dhe se si po e ndihmoni kompaninë tuaj të arrijë suksesin në sajë të përpjekjeve tuaja.

Edhe nëse ju nuk bëni punën e ëndrrave, përqendrohuni te njerëzit që po ndihmoni me mbështetjen tuaj, dhe jepni gjithçka. Pavarësisht punës që bëni, ju do të ndihmoni njerëzit me përpjekjet tuaja. Bëjeni këtë misionin tuaj për të përmirësuar jetën e gjithë atyre me të cilët jeni në kontakt, edhe pse ky komunikim është virtual.

Krijoni një rutinë

Të punuarit nga shtëpia mund të jetë një sfidë për ata që nuk janë mësuar me një gjë të tillë. Një mënyrë për ta kapërcyer këtë situatë është krijimi i një rutine dhe zbatimi i saj. Kjo do t’ju ndihmojë që të jeni më produktivë në punë tuaj dhe të largoheni prej kompjuterit kur ‘shkon ora për të ikur’.

Ja disa këshilla të thjeshta:

  • Krijoni një hapësire pune – një tavolinë, në një cep të shtëpisë ku ju mund të përqendroheni dhe të punoni dhe të largoheni prej saj në fund të ditës së punës.
  • Vishuni – Sigurisht të ngriheni nga krevati dhe të shkoni menjëherë të tryeza e punës është fantastike. Por ne ju këshillojmë që të ngriheni, të bëni një dush dhe të përgatiteni për punë pikërisht siç do të bënit nëse do të shkonit në zyrë. Dhe kujdesuni për pamjen tuaj nëse do të merrni pjesë në një mbledhje
  • Respektoni oraret. Mund të duket kontradiktore, por ekuilibri jetë profesionale – jetë personale mund të pësojë ndonjë goditje kur ju punoni nga shtëpia, pasi është shumë e thjeshtë ta humbni sensin e kohës. Respektoni oraret, niseni punën në 9:00 dhe përfundojeni atë në 17:00. Dhe bëjeni me disiplinë këtë gjë.

Tregohuni të sjellshëm

Në një kohë kur kaq shumë njerëz janë të nervozuar dhe të frikësuar për të nesërmen është e rëndësishme që ju të tregoheni të sjellshëm me njerëzit rreth jush. Kini parasysh që stresi mund t’ju nxisë të thoni fjalën e fundit të parën. Ky është momenti t’i përgjigjeni zemërimit apo frustrimit me dashuri dhe mbështetje.

Shfaqni mirënjohje

Edhe në periudha kur stresi është i madh, shfaqja e mirënjohjes redukton stresin dhe simptomat e depresionit.

Nëse nuk e keni bërë kurrë një gjë të tillë, ky është momenti ideal për ta bërë. Dhe në fund të ditës shkruani thjesht se çfarë keni vlerësuar në ditën tuaj. Mund të jetë çfarëdolloj gjëje, çdo gjë që e bën jetën tuaj më të rehatshme dhe më të mirë. Kur ta bëni këtë gjë, përqendrojini të gjithë energjitë dhe vëmendjen tuaj te gjërat pozitive dhe mos e lini mendjen tuaj të shkojë te gjërat e frikshme dhe stresuese.*Karlyn Borysenko./Burimi: Forbes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *