Kryeministri Rama ka prezantuar mbrëmjen e sotme detajet e planit financiar për të mbështetur ekonominë, që është futur në ngërç për shkak të bllokimit të aktivitetit, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Plani përfshin përgjysmimin e pagave për ministrat e deputetët, 100 milionë dollarë si garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi për pagat; 65 milionë dollarë si mbështetje për biznesin e vogël, si dhe fshirjen përgjithmonë të kamatëvonesave të ujit e dritave për individët e bizneset, me vlerë 150 milionë dollarë.
Në një fjalim të gjatë, Rama paralajmëroi që situata është e vështirë, që jemi në këtë luftë, që nuk e dimë deri kur vazhdon, që jemi vetëm, ndryshe nga tërmeti kur iu drejtuam donatorëve, dhe që të ardhurat buxhetore pritet që të bien në pikiatë. Rama tha se plani ynë është me vështrimin nga poshtë lart për kategoritë më të varfra dhe afatgjatë. Kemi plan A, B, C dhe D, tha Rama.
Ata që kanë më shumë nevojë janë bizneset e vogla dhe të tjerët, jo vetëm që nuk duhet të kërkojnë asgjë nga ne, por duhet të japin, nëse lufta do të vazhdojë dhe do të duhet të kalojmë në planin B, tha Rama.
Rama tha se për momentin, do të preken pagat e ministrave dhe deputetëve që do të marrin gjysmën e rrogës, sa të vazhdojë kjo situatë.
Plani për adresimin e nevojave për financim ka 7 pika, tha Rama:
-25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit, që i vihet në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë;
-100 milionë dollarë, garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për pagat;
-65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat në nevojë, për biznesin e vogël;
-20 milionë dollarë për Ministrinë e Mbrojtjes për përballimin e emergjencës
-10 milionë dollarë si fond rezervë për çdo urgjencë;
-Do fshihen përgjithmonë kamatëvonesat për klientët e bizneset, me efekt 150 milionë dollarë, ku përfitojnë 220 mijë abonentë;
-Do riskedulojmë tatimfitimin në 6-mujorin e dytë për të gjithë biznesin e vogël me xhiro nga 2 në 14 milionë lekë.
-Shtyhet dorëzimi i bilanceve deri më 1 qershor të këtij viti. Shtyrja e bilanceve do të përfshihet nesër si pjesë e aktit normativ të ndryshimeve të buxhetit.
Më herët, Rama tha se vende të fuqishme u kapën gafil, të paditur dhe të papërgatitur, në agresionin e një virusit të panjohur, duke u gjetur pa shtretër të duhur spitalorë dhe pa mjetet e nevojshme mjekësore.
Të gjitha vendet si të pasura e të varfra gjenden në të njëjtën anije në det të hapur dhe që kanë si zgjidhje rezistencën e popullit. Kjo është e para luftë ku rezerva e ushtrisë është shtëpia dhe njerëzit duhet të mbyllen në shtëpi. Forca goditëse ndaj saj është zero, shtoi Rama. “Në këtë luftë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”. Nuk ka më iluzione që virusi do të zhduket vetë, ndaj ne vrapuam shpejt për t’u mbyllur në shtëpi dhe do vazhdojmë kështu deri sa ky armik i egër të shporret.
Çlirimi nga ky makth nuk do të vijë as këtë javë as pas dy javësh, ndaj mos më kërkoni që t’ju shes iluzione, shtoi kryeministri.
Rama tha se luftërat nuk vijnë për të mos shkaktuar dëme dhe për ta bërë detin kos, por ato sjellin dhe pasoja të rënda ekonomike. Kjo luftë është e para në historinë e njerëzimit që e bën një popull të mbyllet brenda shtetit të tij dhe e bën shtetin si një familje e përbashkët.
“Sado që ju të kërkoni nga unë, në lagjen më të varfër të Europës, qeveria do të bëjë gjithçka mundet, por çdo anëtar duket të ndërgjegjësohet se gjithçka nuk mund të përfshirë shumëçka që jemi mësuar të kemi në kohën e paqes”.
Qeveria mbledh dhe administron të ardhurat nga puna e gjithsecilit. Në luftë të ardhurat bien si për popullin dhe për shtetin, sepse shteti mbahet me taksa. Të ardhurat e shtetit do të bien në pikiatë të madhe. Nuk e dimë se deri në çfarë pike do të na bien të ardhurat. Ndaj plani ynë nuk mund të kënaqë të gjithë sot dhe t’i lërë të gjithë me gisht në gojë nesër. Nuk mund të parashikohen me optimizëm të ardhurat, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi se të ardhurat në buxhet do të bien shumë, atëherë si do t’ia bëjmë pas dy muajsh?!. Rama tha se në këtë luftë jemi vetëm, jo si pas tërmetit kur garantuam fondet e rindërtimit, duke trokitur në dyert e botës. Nuk kemi kujt t’i shtrimë dorën askujt tjetër./Monitor/.