Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nënshkruar vendimin sipas të cilit nis plani i tij për heqjen e taksës, duke e zëvendësuar me reciprocitet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nënshkruar dokumentin për shqyrtimin dhe miratimin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë rreth lirimit nga tarifa 100 për qind për lëndën e parë që hyn në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas këtij vendimi që mban datën 20 mars 2020 (sot) vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 prill 2020, me ç’rast detyrohet Ministria e Financave e Kosovës dhe Doganat ta zbatojnë vendimin.
Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka paralajmëruar sot se së shpejti do të fillojë zbatimi i planit të tij për heqjen e taksës ndaj mallrave që importohen nga Serbia.
Kurti këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me deputetët e Grupit parlamentar 6+.
“Së shpejti do të fillojë implementimi i planit të tij për heqjen e kësaj mase në faza, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet”, tha ai.
Ndryshe, nga ana e tyre përfaqësuesit e “6 Plus” kërkuan nga kryeministri një përkrahje të shtuar nga Qeveria për komunitetet joshumicë në këtë situatë dhe vlerësuan se nuk ka arsye për panik dhe gjendje të jashtëzakonshme në vend.
Ata po ashtu shprehën kërkesën për heqjen e tarifës në mallrat që importohen nga Serbia.
Ky vendim i Kurtit vjen vetëm dy ditë pasi LDK-ja nisi procedurën për shkarkim të Qeverisë, e u tha se një ndër arsyet është edhe mosheqja e taskës, por që partneri i Vetëvendosjes në Qeveri, insiston se kjo duhet të hiqet krejtësisht e jo siç ka paralajmëruar Kurti me disa faza.
I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt, përmes një konferencë për media, kishte njoftuar se ka vendosur ta heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Kurti kishte vendosur ta heqë tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina duke filluar nga data 15 mars por kjo datë u shtye për shkak situatës së krijuar nga Koronavirusi.
Ai në konferencën për media, të mbajtur më 27 shkurt, pati thënë se pas kësaj do të kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.