Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë. Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
Kompania Contour Global ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.
Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global, duke shtuar se “Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”.
Pas publikimit të lajmit nga Reuters se “Contour-Global” ndalon planet për ndërtimin e fabrikës së qymyrit në Kosovë, ka reaguar deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.
Ai ka thënë tani nuk duhet të humbet kohë, por të filloj sa më shpejtë rindërtimi i TC Kosova A.
“Tash s’duhet me humb kohe, por me fillu sa me shpejt rindërtimin e TC Kosova A. Ekonomisë tonë i duhet furnizim i qëndrueshëm me rrymë, dhe me çmim të përballueshëm”, ka shkruar Murati.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.
Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike./Monitor/.