Rezerva Federale amerikane ul në zero normat e interesit

Në një veprim të guximshëm dhe urgjent për të mbështetur ekonominë gjatë pandemisë së Coronavirusit, Rezerva Federale njoftoi të dielën se do të ulë normën e saj të interesit afër zeros. Ulja e normës, më e shpejtë se sa pritej është menduar si masë për të parandaluar ndonjë lloj krize kredie ose ndërprerje të tregut financiar, që ndodhën për herë të fundit gjatë krizës financiare globale, pak më shumë se një dekadë më parë.

Bordi i guvernatorëve të Fed ishte vendosur të mblidhej këtë javë dhe të raportonte për rezultatet e mbledhjes të mërkurën. Madje pritej që bankierët qendrorë të ulnin normat në zero në atë takim, pasi ata kishin vendosur të ulnin normat me gjysmë pikë përqindjes në një tjetër ndërhyrje emergjente në 3 mars. Aksioni i fundit i së dielës sinjalizon qartazi se Fed është shqetësuar mbi ndikimin e Covid- 19 tek ekonomia amerikane dhe pritja edhe për tre ditë të tjera deri të mërkurën, mund të ishte tepër vonë për të mbështetur ekonominë.

Tregu i aksioneve amerikane ra në nivele rekord javë të kaluar, e para rënie e tillë në 11 vjet, pasi shqetësimi i investitorëve se ekonomia globale mund të bjerë në recesion vazhdon të rritet, ndërsa njerëzit karantinojnë veten në shtëpi dhe lëvizjet e përditshme të jetës normale në të gjithë botën janë ndalur.

Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se masat do të kenë “efekt të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik në afatin e afërt” dhe do të frenojnë ndikimin e aktivitetin ekonomik të ekonomive të huaja goditur nga Coronavirus. Ai tha se pret që ekonomia amerikane të vuajë tremujorin e ardhshëm si rezultat i virusit, megjithëse nuk pranoi të parashikojë një recesion për të ardhmen e ekonomisë. Ai tha se kjo varet nga shtrirja e sëmundjes dhe nëse kufizohet, nuk do ketë ndonjë pasojë të tillë të pakthyeshme./Atlas/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *