Paralajmëron Oda Ekonomike Amerikane: Koronavirusi mund të sjellë humbje milionëshe në ekonominë e vendit

Përhapja e pandemisë COVID-19, po sjellë pasoja të rënda në ekonominë botërore, poashtu edhe në ekonominë vendëse.

Duke e ditur gjendjen ekonomike të vendit, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEK), Arian Zeka, thotë për Ekonomia Online, se pasoja ekonomike do të jenë shumë të rënda, por që thotë se ende është herët të flitet për këto humbje.

Zeka ka rekomanduar që të fillohet bashkërisht me Qeverinë të ndërmarrin masat rikuperuese pas përfundimit të fazës emergjente.

“Duke e ditur që Kosova nuk funksionon në mënyrë të izoluar por është pjesë e integruar e ekonomisë evropiane dhe globale në përgjithësi, atëherë nuk ka dyshim që ngjashëm si në shtetet e tjera edhe Kosova do të afektohet nga situata momentale”.

“Tani sa do të jetë norma e rritjes ekonomike në fund të këtij viti është ende herët të flasim sepse do të duhej të shohim sesa do të zgjasë masat e tilla parandaluese të cilat po ndikojnë edhe në kufizimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të caktuar, por po vështirësohet edhe zinxhiri i furnizimit, jo vetëm në kontekst lokal, por edhe më gjerë rajonal e evropian”.

“Kështu që është ende herët të flasim sa do të jetë ndikimi në normën e rritjes ekonomike por ndikime negative gjithsesi do të ketë dhe do të duhej qysh tani të fillojmë që bashkërisht me Qeverinë të nisim të mendojmë për masat rikuperuese të cilat pastaj duhet të jenë me vend në momentin që do të përfundojë kjo faza emergjente”, ka thënë Zeka.

Teksa flet për situatën në Kosovë, Zeka u shpreh se sektori i hoteleve dhe restoranteve po humb me shifra të frikshme.

Kjo pasi që ky sektor është prekur që në ditën e parë të masave të ndërmarra nga ana e qeverisë.

“Ende nuk kemi marrë informata të tilla, përjashto ndoshta sektorin e hoteleve, restoranteve dhe kafiterive, sektori i cili po jep disa shifra që po duken goxha të frikshme, meqenëse së paku aktivitetet e tyre të tërësishme janë ndalur në ditën e parë dhe efektet negative kanë qenë qysh në ditën e parë, meqenëse vendimet kanë qenë në ditën e parë, atëherë rrjedhimisht i bie që disa prej bizneseve kanë pasur humbje të cilat nuk kanë mundur t’i kontrollojnë për shkak të planifikimit të punëve, por që të njëjtën kohë puna është dashur të ndërpritet menjëherë”.

“Këto janë disa prej raporteve që po i marrim nga ky sektor por që ende nuk i kemi kthyer në shuma monetare në këtë fazën emergjente të cilën po kalojmë”, ka thënë Zeka për EO.

Të hënën ka pasur një reagim edhe të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Amerikane në Kosovë për një keqkuptim dhe huti në sektorin privat se kush mund të punojë dhe kush jo dhe pas komunikimeve dhe takimeve me Insektoriatin e Tregut është sqaruar se jo të gjitha bizneseve u ndalohet puna.

Këto vendime sipas Zekës kanë sjellë interpretime të shumëfishta, raporton EO.

“Fokusi jonë si Odë Amerikane në bashkëpunim me kolegët tonë, ka qenë në qartësimin e atyre dispozitave të vendimeve të qeverisë, të cilat kanë sjellë interpretime të shumëfishta, si nga ana e kompanive poashtu edhe nga punëtorëve, por ajo çfarë kemi parë ditën e djeshme, është se shumë komuna kanë filluar të marrin vendime arbitrare për të ndaluar punën e atyre bizneseve të cilët në vendim të qeverisë kanë mundur të vazhdojnë punën e tyre”, u shpreh ai.

Reduktimi i aktiviteteve ekonomike, mund të sjellë pasoja edhe në zvogëlimin e të hyrave në thesarin e shtetit.

Por i pari i Odës Ekonomike Amerikane jep një shpresë se rikuperimi i ekonomisë mund të ndodhë me fonde të ndryshme ndërkombëtare, duke filluar nga fondet e Bankës Botërore, nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e të tjera.

“Reduktimi i aktiviteteve ekonomike, natyrisht se do të ndikojë edhe në zvogëlimin e të hyrave për thesarin e shtetit. Ne jemi të vetëdijshëm dhe kemi qenë në komunikim me ministrin e Financave dhe Transfereve, dhe jemi të vetëdijshëm për shqetësimet që ata kanë në këtë aspekt dhe çfarë do mase që ata mund të ndërmarrin do të jenë më konservativ sepse Kosova edhe ashtu ka buxhet të kufizuar”.

“Besoj që gjithsesi do të ndikojë në aspektin e mbledhjes së të hyrave por ndoshta do të mund të llogarisim në përfitime që mund të kemi në fondet e mëdha të cilat janë ndarë anembanë botës me qëllim të ndihmesës për gjithë vendet që po preken nga kjo pandemi për t’i sanuar dëmet e mundshme dhe për t’i ndihmuar ekonomitë që të rikuperohen, po flas për fondet e Bankës Botërore, për fondet Monetar Ndërkombëtarë, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe besoj se do të kemi mbështetje edhe në këtë aspekt. Po gjithsesi buxheti i shtetit do të pësoj ndikime negative në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *