Franca do të shpenzojë rreth 45 miliardë euro (50 miliardë dollarë) për të ndihmuar bizneset e vogla dhe punonjësit që luftojnë me shpërthimin e Coronavirusit, siç njoftoi të martën Ministri i Financave të vendit, pasi Presidenti Emmanuel Macron deklaroi “Ne jemi tashmë në luftë!”
Duke folur në dalje televizive vonë të hënën, Macron i tha popullit francez se ata do të lejohen jashtë shtëpive të tyre vetëm detyra thelbësore, të tilla si blerja e ushqimit dhe ilaçeve, për një periudhë dy javore. Ai gjithashtu tha se ushtria franceze do të merret me transportin e pacientëve të prekur me Coronavirus nga rajone të mbingarkuara, drejt pjesëve të tjera të Francës, ku ka një kapacitet në dispozicion për t’u kujdesur për njerëzit. Macron po ashtu deklaroi se do të ketë ndihmë financiare “të pakufizuar” për bizneset e prekura.
“Ne duhet të mobilizojmë të gjitha forcat tona,” daklaroi pastaj Bruno Le Maire, Ministri Francez i Financave, duke shtuar detaje të tjera në premtimet e bëra nga Macron. “Ne nuk duam që bizneset të falimentojnë!” shtoi ai.
Përhapja e Coronavirusit, që u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar, ka goditur shumë të gjitha ekonomitë kryesore. Aeroplanët nuk po udhtojnë më, restorantet dhe kafenetë janë mbyllur ose punojnë me orare të reduktuara në disa vende dhe vetëm farmacitë e dyqanet ushqimore janë të hapura./Atlas/.