Beteja epike mes Rusisë dhe Arabisë Saudite lidhur me çmimet e naftës vazhdon ende. Tkurrja e kërkesës për karburant dhe tani edhe ndalimi i paprecedent i udhëtimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ishin një skenar makthi për tregun e naftës.Për pasojë, çmimi i naftës së papërpunuar amerikane ra së fundi edhe me një tjetër 6%-ësh, duke arritur aktualisht në 31 dollarë për fuçi. Kjo që prej së enjtes pasi Presidenti Donald Trump njoftoi kufizimet e udhëtimit me Evropën në një përpjekje për të përmbajtur pandeminë e Coronavirusit. Kështu në vetëm një javë çmimet kanë rënë me 27%.
Ndalimi i udhëtimit po intensifikon akoma më tepër frikën për shkatërrimin e kërkesës për produktet e energjisë në rradhët e investitorëve. “Masa ishte e paparë, kështu që edhe ndikimi i plotë i kërkesës së karburantit është kryesisht i panjohur.” tha Ryan Fitzmaurice, strateg i energjisë në Rabobank.
Rusia, duke kërkuar të ndalojë rritjen e naftës amerikane, nuk pranoi të shkojë në të njëjtën linjë me propozimin e OPEC javën e kaluar për të ulur prodhimin. Arabia Saudite, udhëheqësi de-fakto i OPEC, u hakmor kundër Rusisë duke premtuar se do të përmbytte tregun me naftë të lirë. Në të njëjtën kohë, investitorët në të gjithë botën po heqin dorë nga investimet e rrezikshme të të gjitha formave, përfshirë aksionet, bonot dhe mallrat.
Frika e recesionit e rrëzoi indeksin Dow të bursës amerikane në nivelin më të ulët që nga Recesioni i Madh dhe në të njëjtën rrugë duket edhe indeksi S&P 500. Përkundër këtij sfondi, nafta e papërpunuar në standardin botëror, ra dje me 7% duke zbritur në 33,30 dollarë për fuçi./Atlas/.