Zyrtari amerikan: Trump do ulë në 0 taksën e pagës, si stimulim për ekonominë

Nga një takim me ligjvënësit republikanë të martën në Capitol Hill, presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur vendosjen e një takse pagash 0% për punëdhënësit dhe punonjësit, që pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti. Kjo është bërë e ditur nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Por taksat e pagave përdoren për të financuar Sigurimet Shoqërore dhe shëndetësore, ndaj kur u pyet për koston e mundshme nga ulja e taksës së pagave, zyrtari u tërhoq dhe sipas CNBC nuk pranoi të prononcohej.

Zhvillimi vjen pasi Trump dhe Shtëpia e Bardhë përpiqen të hedhin në treg një plan stimulimi ekonomik për të luftuar ndikimin nga shpërthimi i Coronavirusit. Pas një rënie prej 2,000 pikësh nga indeksi Dow Jones i bursës, gjithmonë e më shumë investitorët janë stepur dhe kanë paqartësi për atë ç’ka i pret në të ardhmen.

Të martën CNBC raportoi se Shtëpia e Bardhë nuk ishte e gatshme të hartonte një plan specifik veprimi mbi ekonominë ndërsa Coronavirusi vdekjeprurës vazhdon të përhapet. Trump ka bërë me dije se ai do i  njoftojë propozimet dhe masat e politikave ekonomike në një konferencë shtypi. Madje Shtëpia e Bardhë ka ftuar drejtuesit e Wall Street në një takim për të diskutuar rreth kundërpërgjigjeve ekonomike për ndikimin e Coronavirusit dhe pritet që në vazhdim informacionet të jenë më të qarta./Atlas/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *