Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën mbrëma, ka miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mbrojtje nga kronavirusi. Një prej masave kryesore është ndërprerja e procesit mësimor deri më 27 mars.
11 masat e ndërmarra nga Qeveria për mbrojtje nga koronavirusi:
- Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlenë për puntorët shëndetësor dhe për puntorët në sektorin e sigurisë);
- Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një një vendim tjetër);
- Kontroll i obliguar i udhtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;
- Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;
- Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;
- Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;
- Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;
- Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.
- Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.
- Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejtvendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.
- Personatfizik dhe juridik të cilëtnuk i respektojnë dhe i shkelinrekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se masat që do të ndërmerren në mbledhjen e sotme, do të zbatohen edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Janë rreth 2000 të burgosur në Shërbimin Korrektues. Sot kam pasur takime me të gjithë drejtorët. Duhet të veprojmë në përputhje me masat që do të merren në këtë mbledhje. Nga nesër do t’i përshtatim këto veprime edhe shërbimit korrektues, edhe për stafin edhe për të burgosurit”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Inovacionit, Vlora Dumoshi, tha se ngjarjet sportive nuk do të ndalohen, por do të ndalohet pjesëmarrja e shikuesve.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se me mbylljen e shkollave, fëmijët dhe të rinjtë do të synojnë të shkojnë nëpër vende tjera për t’u shoqëruar.
“Me mbylljen e shkollave dhe kopshteve, fëmijët dhe të rinjtë do të synojnë të shkojnë diku tjetër sepse s’mund të rrinë kollaj nëpër shtëpi. Duhet të kemi vëmendje të shtuar edhe në këtë aspekt, sepse do të ketë vende tjera ku ata do të rrinë bashkë. Duhet të kemi kujdes këtu, por edhe sa i përket prindërve sepse fëmijët në shtëpi, nënkupton edhe së paku njëri prind në shtëpi. Kjo e ka një kosto edhe për ekonominë e edhe për institucionet”, theksoi Kurti.
Besnik Bislimi, sugjeroi që të merret vendim edhe për kontrollimin e rritjes së çmimeve, siç propozoi ministrja Emilia Rexhepi.
“Kërkojmë nga të gjitha organizatat tregtare të mos i lëvizin çmimet. Unë mund të kërkoj nesër nga ATK-ja që të dalin në terren e të pamundësojnë keqpërdorimin në këtë situatë të jashtëzakonshme”, tha Bislimi.
Në fund të mbledhjes, u miratua propozim-vendimi për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga koronavirusi COVID-19.
Kurse sa i përket propozimit të Bislimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se propozimi është me vend, por tha se duhet të shohim se si do të merremi me këtë çështje. Tha se kjo ndoshta s’mund të bëhet me inspektorë, por tha se Rregullorja e Qeverisë ua lejon formimin e komisioneve ekzekutive për raste specifike.
“Mund të shohim specifikat që të formojmë në komitet ekzekutiv me 3-4 ministra e me disa përfaqësues të institucioneve, si të ATK-së, komunave, apo të autoritetit të Konkurrencës. Komiteti do të përcjellë situatën dhe të ndërmarrë masat pastaj”, tha Hoti. Kryeministri u pajtua me këtë propozim të Hotit.