Shoqatat e Biznesit po kërkojnë lehtësi fiskale pas pasojave të përhapjes së koronavisurit. Pas Dhomave të tregtisë, vjen një tjetër kërkesë nga eksportuesit.
Përmes një debati në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Punëdhënësve “ProEksport Albania” u bënë propozime në drejtim të Qeverisë:
- Të shtyhen për tre javë pagesat e detyrimeve ndaj shtetit për :
- a) sigurimet shoqërore dhe shendetësore;
- b) pagesa e Tatim Fitimit;
- c) pagesa e energjise elektrike;
- d) tarifat dhe taksat vendore;
- f) të rimbursohet automatikisht TVSH, duke hequr barrierat e vendosura së fundi nga DPT,
- e) të ngrijnë interesat bankare të kredive të bizneseve dhënë nga bankat tregtare deri në përfundim të kësaj situate të emergjencës.
Bizneset fason kërkojnë pezullimin e këtyre pagesave me qëllim të sigurimit të likuiditetit të nevojshëm për të paguar punonjësit, në rastin kur ndermarrjet nuk do të mbyllen.
Në një situate emergjence, kur do të kërkohet mbyllja e paevitueshme e ndërmarrjeve, qeveria të paguajë, me fondin e asistencës, të gjithë punonjësit fasonistë, për aq kohë sa subjektet nuk do të punojnë!
Duke qënë se partnerët europianë nuk e kanë ndërprerë ende punën në disa nga vendet furnitore, të shikohet mundësia që kompanitë shqiptare, të punojnë me sistem 4-5 orë punë në ditë!
Nëse kompanitë mëmë ndërpresin punën, të realizohet kjo edhe në Shqipëri, duke marrë përsipër pagesën për punën e ndërprerë!
Duke qenë se në disa kompani ka filluar largimi i punonjësve pa ndonjë arsye të dukshme, duke ndikuar te mosrealizimi i kontratave me partnerët e huaj, kompanitë të pezullojnë pagat dhe detyrimet e tjera për punonjësit e larguar vullnetarisht.
Në një situate hipotetike të emergjencës së plotë, nëse qeveria vendos mbylljen e përkohëshme të të gjithë kompanive për të siguruar shëndetin e punonjësve, bizneset tona kërkojnë bllokimin e plotë të të gjitha detyrimeve ligjore, tatimeve dhe taksave si dhe tarifave lokale deri në kthimin në normalitet!
Bizneset tona marrin përsipër, ndërkohë, që këtë periudhë ta shfrytëzojnë për dezinfektimin e të gjithë mjediseve të punës nga kontaminimi i virusit “corona”!
Kryesia e zgjeruar kërkoi që, në plotësim të plotë të këtyre kërkesave, të realizohet, në kohën më të shpejtë të mundshme një takim me ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ministrinë e Zhvillimit të Sipërmarrjes, ku të diskutohej për hapat e tjerë deri në përfundim të situatës së emergjencës!
Në takim u ra dakort të vijohet komunikimi edhe për propozimet e tjera që mund të vijnë nga sipërmarrësit e grupuar në Shoqatën Kombëtare të Punëdhënësve “ProEksport Albania” që përfshin aktualisht prodhuesit dhe eksportuesit e veshjeve dhe këpucëve dhe disa prej kompanive automotive, vendase dhe të huaja, përfundon njoftimi./Monitor/