”Biznes vëllazëror” , 8 barrierat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtar për njëra-tjetrën. Për Kosovën, Shqipëria zë vendin e parë sa i përket eksporteve dhe vendin e pestë sa i përket importeve. Mirëpo,  këto dy shtetet nuk po mund t’i kalojnë barrierat tregtare mes vete.  Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë sa i përket pakënaqësisë me trajtimin nga autoritetet vendase të bizneseve kosovare.

 Me gjithë lidhjet e afërta historike, kulturore dhe numrin e madh të marrëveshjeve tregtare të nënshkruara nga Kosova dhe Shqipëria, kompanitë kosovare përballen me pengesa të ndryshme qoftë teknike apo edhe tarifore gjatë ekportimit të produkteve në Shqipëri apo kalimit tranzit. Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë, sa i përket barrierave të raportuara jo-tarifore nga bizneset Kosovare.

“Këto të dhëna përputhen edhe me një studim të realizuar me bizneset eksportuese nga Kosova në vitin 2018, ku Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë sa i përket pakënaqësisë me trajtimin nga autoritetet vendase të bizneseve kosovare”, thuhet në raportin  “Potenciali tregtar Kosovë – Shqipëri: barrierat tregtare dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”.

Problemet kryesore të bizneseve të raportuara me Shqipërinë lidhen me pengesat që lidhen me dokumentacione fitosanitare, çmimet referente, akcizat diskriminuese, pagesat për skanerë dhe mjedisin e vështirë të të bërit biznes.

Shumë nga problemet e identifikuara me eksportuesit Kosovar, burim të përbashkët e kanë korrupsionin në nivele të ndryshme institucionale në Shqipëri. Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë arritur të krijojnë sisteme në dogana, ku zyrtarët nuk kanë diskrecion për të penguar qarkullimin e mallrave. Karakteristikë sa i përket barrierave tregtare me Shqipërinë është se ato zgjidhen për një kohë të caktuar dhe të njëjtat në mënyrë sistematike përsëriten.

Disa nga pengesat më të shpeshta janë paraqitur në vijim.

  • Kërkesat për noterizim të analizës fitosanitare. Një nga problemet më shpesh të cekura nga bizneset është kërkesa nga institucionet Shqiptare që çdo dërgesë të ketë kopje të noterizuar të analizës ose çertifikatë origjinale fitosanitare të veçantë për dërgesën. Shembull, nëse një kompani Kosovare merr një certifikatë fito-sanitare për një sasi të caktuar të produktit dhe atë sasi e eksporton me disa maune, atëherë për secilin nga to do të duhej ta noterizojë kopjen e analizës. Një kërkesë të tillë nuk e kanë shtete tjera në rajon, madje as shtetet të Bashkimit Evropian. Këtë pengesë e hasin të gjitha produktet ushqimore dhe pijet siç janë: pijet energjike, vezët, çokollatat, lëngjet e frutave, biskota etj.
  • Kosto për skanerin në doganë. Përderisa eksportet për në vendet tjera duhet të futen në skanerin e sigurisë në doganë vetëm në rastet kur sistemi paraqet rrezik të lartë të sigurisë, të tilla si kontrabandimi, trafikimi apo ndonjë çështje tjetër sigurie, të gjitha eksportet për në Shqipëri duhet të futen në skanerin e sigurisë. Kostoja për një kamion i cili kalon në skaner është 22 euro, ndërsa sipas një kalkulimi të përafërt, kostoja totale që paguajnë bizneset kosovare për skaner është rreth dy milionë euro në vit. Kompanitë kosovare që kanë eksportuar edhe në vende të Bashkimit Evropian janë shprehur se nuk kalojnë në procedurat e kontrollesh për secilën dërgesë por vetëm 3-5% të sasisë.

Disa kompani kanë raportuar se janë detyruar të paguajnë për skaner edhe në raste skaneri kur nuk ka qenë fare funksional. Gjithashtu, siç u përmend më lartë, me gjithë hapjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në terminalin e Durrësit, mallrat të cilat qarkullojnë përmes Shqipërisë duhet të paguajnë për futjen në skaner të shtetit Shqiptar, megjithëse ky skaner nuk ekziston në pikën e Doganës së Kosovës. Kosto e skanerit duhet të paguhet madje edhe për mallrat të cilat kalojnë tranzit në Shqipëri, qoftë për eksport apo import.

  • Çmimet referencë. Probleme me çmimet referencë kanë pasur veçanërisht eksportet e çokollatës dhe patateve nga Kosova. Në rastin e eksporteve të çokollatës, Dogana e Shqipërisë kishte caktuar një çmim referencë prej 3.3 euro, në kundërshtim me faturat e paraqitura nga eksportuesi kosovar. Kjo pastaj reflekton në rritjen e pagesës së Tatimit mbi vlerën e shtuar dhe kostos së këtij produkti në tregun e Shqipërisë duke e bërë atë më të shtrenjtë. Megjithëse kjo barrierë nuk është përsëritur kohëve të fundit, si pasojë e kësaj barriere dhe barrierave tjera të lartpërmendura, një ndër eksportuesit nga Kosova tregon të jetë dekurajuar dhe eksporti për Shqipëri nga kjo firmë po bie nga viti në vit megjithëse për shkak të afërsisë gjeografike është një treg tejet i përshtatshëm për eksport.
  • Kosto për tarifë rrugore. Që nga shtatori i vitit 2019, të gjithë automjetet duhet të paguajnë një tarifë për kalimin në autostradën Milot-Morinë. Pagesa për kamionët bëhet sipas dy kategorive varësisht nga kapacitetet e kamionëve, rreth 17 dhe 23 euro.

Këtë pagesë e kanë konsideruar si shumë të shtrenjtë të gjithë eksportuesit nga Kosova, veçanërisht duke e krahasuar atë me pagesën e rrugës në Maqedoni për në Portin e Selanikut.

  • Korrupsioni nga oficerët doganorë. Disa biznese kanë raportuar pengesa të ndryshme që bëhen nga oficerë doganorë nga Shqipëria në rastet kur ata kanë diskrecion mbi procedura të caktuara doganore. Me qëllim të marrjes së ryshfetit, oficerë doganorë i vonojnë procedurat për orë të tëra ndërsa në raste tjera mallrat bllokohen me arsyetim të mos përshtatjes së dokumentacionit me dërgesën. Njëra ndër kompanitë më të mëdha të pijeve nga Kosova kishte pasur probleme të tilla me bllokadë të eksportit për shkak të pretendimeve për mospërshtatje të dokumentacionit me ngarkesën. Me dokumentacion dhe peshë të njëjtë, ky problem ishte zgjidhur pas ndërhyjes të një partneri biznesi në Shqipëri i cili ka lidhje joformale me institucionet.
  • Mungesa e besimit në partnerë biznesor. Ndër barrierat të cilat nuk lidhen me funksionimin e institucioneve është edhe mungesa e besimit tek partnerët e biznesit për shpërndarje të produkteve në Shqipëri. Sipas prodhuesve kosovar edhe dallimet kulturore kanë ndikuar negativisht në raportet biznesore.

Mungesa e besimit tek qytetarët nga Shqipëria është e gjetur edhe nga një hulumtim i kryer me qytetarë të Kosovës, ku rreth 62% e të intervistuarve i konsideronin shqiptarët e Kosovës më të besës së Shqiptarët e Shqipërisë.

  • Akciza diskriminuese në sasi të alkoolit. Për dallim nga Kosova, Republika e Shqipërisë aplikon një akcizë të përshkallëzuar për pijet alkoolike varësisht nga sasia e prodhuar brenda vitit nga një prodhues vendor apo i huaj. Shembull, akciza për prodhuesit e birrës mbi 200 mijë hektolitra në vit është dyfish më e madhe se për prodhuesit nën këtë sasi. Ndërsa, për prodhuesit e verës me mbi 10 mijë hektolitra në vit, akciza është trefish më e madhe se për prodhuesit nën këtë sasi.

Sipas eksportuesve të këtyre produkteve, akciza e përshkallëzuar i bën më pak konkurrente produktet e tyre në tregun e Shqipërisë për shkak të ekzistencës së një numri të konsiderueshëm të prodhuesve të vegjël atje.

  • Akciza në ambalazhë të plastikës. Një akcizë tjetër e cila aplikohet në Shqipëri, është edhe akciza për ambalazhë të plastikës prej 35 lekë për kilogram. Kjo barrierë tarifore është raportuar nga eksportuesit e çokollatës dhe ujërave të ambalazhuara, për shkak se ndikon në rritjen e çmimit final të produktit. Gjithashtu, për shkak që kjo akcizë është vetëm 10 lekë në kilogram për lëndën e parë për prodhuesit e plastikës në Shqipëri, produktet e importuara diskriminohen negativisht dhe janë më pak konkurruese në treg./Monitor/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *