Gjermania nga sot hap dyert për punëtorët e kualifikuar

Nga 1 marsi në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë, përcjell Telegrafi.

Përveç kësaj, të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të shkojnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy-tre-vjeçare të arsimit profesional”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100 mijë vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60 mijë të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara./Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *