Shefat e financave dhe bankierët qendrorë nga ekonomitë më të mëdha në botë mendojnë se rritja globale kërcënohet seriozisht me Coronavirusin që po shton pasigurinë dhe po godet fuqishëm zinxhirët e furnizimit. Ndërsa delegatët në takimin e grupit G20 në Riad, Arabi Saudite, kaluan pjesën më të madhe të kohës duke folur për një përgjigje ndaj shpërthimit të virusit me origjinën në Kinë, në komunikatën e tyre të fundit, ata thanë se do të përpiqen të përmirësojnë monitorimin e rrezikut.
Coronavirusi deri tani ka vrarë globalisht më shumë se 2,300 njerëz dhe ka infektuar rreth 80,000. Vende të tilla si Japonia dhe institucionet si OECD, po iu bëjnë presion shteteve të tjera, për të shpenzuar më shumë e për të ndihmuar në shmangien e një rënieje më të thellë ekonomike.
Vendet e G20 ranë dakord të qëndrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë në politikat e nevojshme. Ministri Saudit i Financave, Al Jadaan, nga Hotel Ritz Carlton në kryeqytetin Saudit, pas përfundimit të takimit u shpreh se “Rritja ekonomike globale po vazhdon, megjithatë ajo mbetet e ngadaltë dhe rreziqet, përfshirë ato që rrjedhin nga tensionet gjeopolitike, tregtare, si dhe nga pasiguria politike, duket se ndikojnë shumë negativisht tek ecuria.”
Shefja ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva tha të shtunën se shpërthimi i virusit ka bërë që huadhënësi të shkurtojë parashikimin e tij për rritjen kineze në 5.6% nga 6% dhe të shkurtojë me 0.1 pikë përqindje edhe parashikimin e tij për rritje globale, por ky është vetëm fillimi, pasi në vijim shihen skenarë edhe më të tmerrshme.
Edhe Ministri Francez i Financave Bruno Le Maire ka folur rreth situatës duke thënë: “Ne nuk e dimë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, nëse epidemia do të kthehet në pandemi globale, por duhet të jemi të përgatitur dhe kjo është pikërisht ajo që vendosëm sot me anëtarët e G20-ës”
Përfaqësuesit e Kinës munguan në mbledhjen e G20, pasi autoritetet atje po përqendrohen në luftën ndaj virusit. Ekonomia e dytë më e madhe në botë tashmë po shfaq shenja të qarta dobësimi, por ka të ngjarë të rritet shpejt pasi Coronavirusi të vihet nën kontroll dhe ekonomia të fillojë një rikuperim “në formë V” u shpreh Chen Yulu, zëvendësguvernator në Bankën e Popullit të Kinës./Atlas/.