Kompanitë e mëdha europiane kanë filluar të ndalojnë ose kufizojnë udhëtimet e biznesit për qindra mijëra të punësuar ndërsa shpërthimi i Coronavirusit po përshpejtohet. Kufizimet janë nga ana tjetër një presion në rritje ndaj linjave ajrore dhe industrisë më të gjerë të udhëtimit, e cila përballet me një rënie mujore prej më shumë se 46 miliardë dollarësh nga Coronavirusi. Shifra bëhet me dije nga Shoqata Global Travel me qendër në Washington.
Nestlé, kompania më e madhe e ushqimit në botë, tha të enjten se u ka kërkuar 291,000 punonjësve të saj të mos udhëtojnë ndërkombëtarisht për biznes deri në mes të marsit. “Edhe udhëtimi brenda vendit duhet të zëvendësohet me metoda alternative të komunikimit, kur është e mundur,” shtoi një zëdhënës i kompanisë. Një zëdhënës tjetër i L’Oreal tha gjithashtu se të gjitha udhëtimet e biznesit janë pezulluar deri në fund të marsit “si një masë paraprake sigurie”.
Gjigandi i mallrave të konsumit Unilever është një tjetër kompani që ka kufizuar udhëtimet drejt dhe nga Italia veriore ose vendet e tjera të prekura. Së bashku, Nestlé, L’Oreal dhe Unilever punësojnë rreth 532,000 njerëz në të gjithë botën.
Banka italiane UniCredit dhe grupi teknik me bazë në Amsterdam Prosus kanë zbatuar gjithashtu ndalime udhëtimesh për të gjithë kompaninë, për të zvogëluar rrezikun e punonjësve për t’u infektuar me Coronavirusin. Ndërmarrja bujqësore amerikane Cargill gjithashtu tha se ka ndaluar të gjitha udhëtimet jo-thelbësore për operacionet e biznesit. Nëse më shumë kompani bëjnë të njëjtën gjë, presioni mbi sektorin e fluturimeve do të vazhdojë të rritet edhe më, nxitur nga rënia e kërkesës për lëvizje pasagjerësh dhe mallrash, fillimisht me Azinë dhe më pas edhe me vendet e tjera.
Linjat ajrore të mëdha evropiane tashmë janë duke ndërmarrë hapa për të ulur kostot. Lufthansa dhe Air France-KLM njoftuan këtë javë se ata po u ofrojnë punonjësve pushim pa pagesë, ndërkohë që IAG, kompania mëmë e British Airways, tha të premten se nuk mund të japë udhëzime të sakta fitimi për vitin 2020 “duke marrë parasysh paqartësinë e vazhdueshme të ndikimit dhe kohëzgjatjes së virusit. Aksionet e saj u tregtuan 8% më dobët vetëm sot, ndërkohë që javën e fundit kanë rënë me plot 24%./Atlas/