ShBA dhe BE dalin me qëndrime për heqjen e taksës

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media. Një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së. Kurse, Por, këto masa, të cilat çojnë deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka treguar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

Ai ka thënë se nuk i mbështesin masat gjysmake të Kurtit, por duan heqjen e plotë të taksës.

“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë sot”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kurse, Bashkimi Evropian e ka përshëndetur paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës mbi importet e lëndës së parë nga Bosnja dhe Serbia, duke e quajtur hap të parë dhe duke thënë se është në pritje të detajeve të reja.

Në deklaratën e zëdhënësit të Shërbimit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri shkruan se ky hap ofron mundësi për vazhdim të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, shkruan në deklaratën e zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti ka deklaruar të enjten se Kosova do t’i heqë tarifat mbi importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja.

“Aq shumë kohë është humbur. Besimi duhet të kthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut”, shkruan në komunikatë.

“Përfaqësuesi i Lartë/ Nënpresidenti Josep Borrell është i gatshëm për të shërbyer si lehtësues në dialog, në emër të BE-së”.

Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.

“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *