Prej gati 5 ditësh, tregjet e aksioneve në të gjithë botën po shënojnë një rënie të ndjeshme dhe të vazhdueshme për shkak të frikës nga përhapja në rritje e Coronavirusit dhe efektit të tij mbi ekonominë globale. Sigurisht, tregjet aziatike, me Kinës si origjinën e virusit dhe vatrën me numrin më të lartë të të infektuarve, prej nga fillloi edhe përhapja, janë thuajse në kolaps dhe janë goditur më fuqishëm se të tjerat. Megjithatë edhe në rajonet e tjera të globit, situata është shfaqur po gjithashtu serioze. Tregjet evropiane kanë rënë me rreth 3%, ndërsa tregjet kryesore në Nju York u ulën me rreth 2%.
Zyrtarët amerikanë të Shëndetit kanë paralajmëruar për përhapje të Coronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa deri tani është raportuar një numër rastesh relativisht i vogël të prekurish. Rënia në tregjet amerikane u vu re edhe pas komenteve të Presidentit Donald Trump të mërkurën në mbrëmje i cili tha se rreziku për SHBA-në është “shumë i ulët”. Nga ana e vet, Trump emëroi Nënpresidentin Mike Pence si përgjegjësin për të mbikqyrur përpjekjet e qeverisë për të luftuar përhapjen e virusit në vend./Atlas/